Tregu i internetit – Frenohet rritja në segmentin e fiksit

Zgjerimi i tregut të internetit me linja fikse është frenuar disi në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i pajtimtarëve të internetit me linja fikse, në fund të tremujorit të parë ishte rreth 266 mijë, shifër kjo e përafërt me fundin e vitit 2016. Megjithatë, në një horizont afatgjatë, tregu ngelet në rritje.
Numri i abonentëve të shërbimit të internetit me linja fikse është zgjeruar me 7.5% krahasuar me tremujorin e parë 2016. Në një vit, janë shtuar afro 20 mijë abonentë të rinj të shërbimit të internetit. Rritja është akoma më e lartë në segmentin e përdoruesve me shërbime të integruara, ku përfshihen interneti, telefonia dhe televizioni. Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 189 mijë, në rritje vjetore me 19%.
Prej tyre, afro 98 mijë abonentë marrin njëherësh tre shërbime përmes një lidhjeje të vetme. Përfshirja e platformave televizive me pagesë i ka dhënë një shtysë edhe më të fortë zgjerimit të shërbimeve të integruara të komunikimit. Megjithatë, depërtimi ende relativisht i ulët i linjave fikse ngelet një pengesë për të rritur numrin e abonentëve të internetit edhe jashtë qendrave të mëdha urbane të vendit.
Nga ana tjetër, përdorimi i internetit po njeh një zgjerim të shpejtë përmes rrjeteve të lëvizshme. Bazuar në statistikat e AKEP, janë 1.76 milionë shqiptarë me akses në internet 3G ose 4G. Numri i përdoruesve të internetit nga rrjetet celulare në një vit është rritur me 27%, i ndikuar fuqishëm nga teknologjia 4G dhe rritja e përdorimit të telefonave smart.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.