Tregu i internetit – I afrohet pragut të 400 mijë abonentëve

Tregu i internetit me linja fikse po arrin pragun e 400 mijë abonentëve. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare raporton rritje me ritme të shpejta të këtij treguesi edhe në pjesën e parë të këtij viti.
Në fund të qershorit, numri i raportuar i abonentëve nga operatorët arriti në 399 mijë. Që nga fillimi i janarit, tregu numëron 38 mijë abonentë më shumë, ndërsa krahasuar me një vit më parë numri i abonentëve është rritur me pothuajse 80 mijë të tillë.
Pjesa më e madhe e abonentëve të internetit e shfrytëzojnë lidhjen për të marrë më shumë se një shërbim komunikimi, duke përfshirë edhe telefoninë fikse dhe televizionin. Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 231 mijë, në rritje vjetore me afro 10%. Prej tyre, 108 mijë abonentë marrin njëherësh tre shërbime përmes një lidhjeje të vetme.
Konkurrenca e fortë në këtë segment ka bërë që pjesa e tregut të operatorit më të madh, Albtelecom, të bjerë gradualisht dhe tashmë është pranë nivelit 33%.
Shërbimi i internetit me linja fikse ka ende potenciale të mëdha rritjeje, po të kemi parasysh se Shqipëria ka ende një depërtim të ulët të këtyre shërbimeve krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara.
Në raportin vjetor të vitit 2018, AKEP konstaton se, megjithëse numri i pajtimtarëve me akses nga linjat fikse është në rritje të qëndrueshme, normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se ne vendet e BE-së dhe të Rajonit. Në vitin 2018, norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjetet fikse ishte 50% për familje dhe 12.6% për numër banorësh.
Ky treg së fundmi po tërheq edhe investitorët të tjerë të rëndësishëm. Kompania e rrjetit kombëtr të fibrës optike ATU, mbylli këtë vit blerjen e operatorit Digicom, me qëllim hyrjen në tregun me pakicë të shërbimeve të internetit.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.