Tregu i monedhave, i qëndrueshëm – Powell pritet të sinjalizojë një rritje të interesave me 75 pikë bazë

Dollari amerikan i është rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, duke u ngjitur sërish pranë nivelit më të lartë në 24 vitet e fundit, në raport me jenin japonez. Edhe euro po realizon humbje modeste dhe po tregtohet pranë 1.05 dollarëve. Në këmbimin e monedhave të tjera vihet re një qëndrueshmëri, por divergjenca e politikave monetare mes Japonisë dhe pjesës tjetër të botës së zhvilluar vijon të jetë e theksuar.
Banka e Japonisë ende vijon të ndjekë një politikë monetare ultralehtësuese, ndërsa bankat e tjera kanë filluar me rritjen e interesave. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë monedhave kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 104.4, ndërsa në përgjithësi tregu është karakterizuar nga qëndrueshmëria gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, sot pritet të fillojë edhe dëshmia 2-ditore e shefit të Rezervës Federale, Jerome Powell në Kongresin amerikan, dhe analistët presin të mësojnë më tepër mbi rritjen e normës bazë të interesit në takimin e korrikut.
Në Europë, kreu i ekonomistëve të Bankës Qendrore Europiane, Philip Lane, deklaroi se banka do të rrisë normën bazë të interesit me 25 pikë bazë në takimin e korrikut, por nuk është përcaktuar ende se sa do të jetë rritja në muajin shtator.
Në tregun e kriptovalutave është rikthyer sërish tendenca në rënie, me bitcoin që po tregtohet pranë 20 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1070 dollarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.