Tregu i naftës drejt mbiofertës – IEA projekton rritje të prodhimit dhe rënie të kërkesës
Tregu i naftës pritet të përballet me tepricë oferte në vitin 2020, për shkak të rritjes së prodhimit dhe kërkesës së dobët, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Në raportin e fundit mujor, Agjencia në Paris uli projeksionet për rritjen e kërkesës me 100,000 fuçi në ditë për vitin 2019 dhe 2020.
Faktorët makroekonomikë botërorë si lufta tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe zhvillimet në lidhje me Brexit, po zbehin perspektivën e tregut të naftës, sipas agjencisë.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhues të tjerë përfshirë Rusinë, kanë ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë që prej muajit Janar, në përpjekje për të mbështetur tregun dhe nxitur çmimet.
Megjithatë, oferta e naftës këtë vit është rritur nga vendet jashtë Organizatës si Shtetet e Bashkuara. Brazili dhe Norvegjia do të prodhojnë gjithashtu më shumë naftë në vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, kërkesa në vitin 2019 ka qenë e dobët, prej ngadalësimit të aktivitetit në të gjithë botën. Në muajin Shtator, Arabia Saudite u detyrua të përgjysmojë prodhimin e naftës pas disa sulmeve me dronë në fabrikat e procesimit.
Mbyllja e fabrikave ndikoi rreth 5.7 milionë fuçi në ditë, apo 5% të prodhimit ditor të naftë në të gjithë botën.
Pavarësisht shqetësimeve mbi ofertën pas sulmit në fabrikat arabe, ku përgjegjësinë e morën rebelët Huthi në Yemen, rimëkëmbja e furnizimeve ka qenë mbresëlënëse.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.