Tregu i pasurive, nën minimumet historike – Vrojtimi më pesimist që prej vitit 2013, vetëm 39% e subjekteve kanë kryer shitje

Rënia e ndjeshme e shitjeve dhe pasiguritë e shkaktuara nga Pandemia Covid 19 e kanë bërë vitin 2020 më pesimistin për tregun e pasurive të paluajtshme. Një vrojtim I kryer nga Banka e Shqipërisë me 181 shoqëri ndërtimi dhe agjentësh shitjes për gjashtëmujorin e dytë të vitit të shkuar zbardh vlerësimin më të ulët mbi ecurinë e tij që prej vitit 2013, kur ky lloj sondazhi u krye për herë të parë.
Balanca neto e përgjigjeve ka rezultuar [-29%], duke treguar që vlerësimi i agjentëve për situatën gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020 ishte shumë më pesimist se ai I periudhës së mëparshme, ndërkohë që kjo vlerë është dukshëm nën mesataren afatgjatë të balancës neto (-22%). Në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, përgjigjet sipas zonave tregojnë balanca me vlera negative të situatës për të tria zonat; balanca për zonën e Tiranës rezultoi[-28%], ajo për Bregdetin [-42%]dhe ajo për Zonat e Tjera ishte [-26%]. I njëjti tregues i vlerësuar vetëm për subjektet që kanë raportuar shitje gjatë periudhës, paraqet një vlerësim të ngjashëm me vlerësimin e të gjithë kampionit, por më pak negativ; balanca neto e përgjigjeve mbi situatën e përgjithshme nga ana e subjekteve që kanë raportuar shitje është [-20%].Që nga gjysma e dytë e vitit 2019, ky tregues ka regjistruar një balancë në vlera negative, ndërkohë që gjatë periudhës Gjashtëmujori I_2017 –Gjashtëmujori I_2019, balanca ka shënuar vlera pozitive dhe relativisht të larta .
Tregu i pasurive të paluajtshme në tërësi ka shënuar rënie të fortë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, kryesisht për shkak të Pandemisë me vetëm 632 prona të shitura nga 825 të gjashtëmujorit të mëparshëm, në një kohë që segmente të tij kanë reaguar në mënyra shumë të ndryshme për sa i përket çmimeve. Sipas sondazhit, numri i agjentëve që kanë realizuar shitje ndaj numrit të përgjithshëm të subjekteve që janë përgjigjur, ra në 39% nga 44% një gjashtëmujor më pare, ndërkohë që numri mesatar i pronave të shitura për subjekt ra në më pak se 4 nga 5 që ishte gjashtë muaj më parë.
Indeksi I Çmimit për Tiranën u rrit me 2.3% ndaj periudhës paraardhëse, dhe me 46.7% ndaj vitit 2013. Çmimet mesatare në qendër të kryeqytetit janë rritur me 16% nga periudha paraardhëse dhe kanë rënë me 22% për zonën jashtë kryeqytetit. Çmimet mesatare kanë mbetur thuajse të pandryshuara në Zonat e Tjera të vendit dhe janë rritur me rreth 2 herë për Zonën e Bregdetit
Rreth 36% të banesave dhe pronave tregtare që janë shitur gjatë periudhës, janë blerë nga jorezidentë. Gjysma e tyre janë rezidentë të Bashkimit Evropian dhe pjesa tjetër janë jashtë tij.
Për gjashtëmujorin e ardhshëm,balanca për ecurinë e pritur të çmimeve është neutrale,por agjentët presin rënie të mëtejshme të numrit të pronave të regjistruara për shitje. Sipas Bankës së Shqipërisë, Agjentët janë pesimistë për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër, por janë ndjeshëm më optimistë për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet) për aktivitetin në tregun e pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.