Tregu i përbashkët Ballkanik – Ja hapat e radhës për zbatimin që do të ndiqen në takimin e së shtunës në Durrës

Mbledhja informale e të shtunës në Durrës në kuadër të procesit të Berlinit do të përfshijë më shumë se sa vetë fjala “informale” sugjeron, duke sjellë edhe hapat e parë realë drejt krijimit të tregut të përbashkët Ballkanik.
Në takimin e kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, siç ishte parashikuar, do të marrë pjesë edhe Komisioneri Europian për politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn.
Sipas njoftimit të Komisionit Europian, mbledhja do të përqendrohet në nxitjen e zbatimit të zotimeve të bëra gjatë Korrikut në Samitin e Triestes.
Specifikisht, Bashkimi Europian kërkon të shohë më tepër veprime konkrete në hartimin e një plani veprimi për thellimin e integrimit ekonomik rajonal.
Edhe pse pas nënshkrimit të marrëveshjes, disa vende ishin ende skeptike për përfitimet e një Zone Ekonomike Rajonale, BE këmbëngul se do të sjellë mundësi të reja për bizneset dhe qytetarët, si edhe do të forcojë rritjen dhe do të krijojë vende pune.
KE zbulon se cilat do të jenë këto hapa konkrete që duhet të merren dhe ato përfshijnë:
- njohjen e përbashkët të kualifikimeve profesionale;
- identifikimin dhe eliminimin e burokracisë dhe barrierave rregullatore që pengojnë tregtinë dhe investimet në rajon;
- ngritjen e një dialogu në transformimin dixhital;
- hapjen e negociatave për një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
Bashkëpunimi rajonal konsiderohet nga KE si një pjesë thelbësore e perspektivës së aderimit në unionin europian. KE thekson se mbështet fuqimisht edhe investimet në ndërlidhjen e infrastrukturës, ekonomive dhe njerëzve brenda vetë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në mbledhjen e së shtunës do të marrin pjesë kryeministri Rama, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic, kryeministri në detyrë i Kosovës Isa Mustafa, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje & Hercegovinës, Denis Zvidzdic; Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë, si edhe kryeministri i Malit të Zi Dusko Markovic.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.