Tregu “i përket” internetit – AKEP: Bie trafiku celular, rritet tregu i internetit fiks
Tregu i komunikimeve në Shqipëri është gjithnjë e më i orientuar te interneti. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për tremujorin e parë të këtij viti treguan sërish rënie të ndjeshme të numrit të përdoruesve aktivë dhe trafikut të thirrjeve nga rrjetet e lëvizshme.
Volumi total i thirrjeve telefonike dalëse nga rrjetet celulare ra me 11% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa trafiku i internetit përmes këtyre rrjeteve pësoi rënie të lehtë me rreth 1%. Shqiptarët po flasin më pak në celular, por kjo sigurisht që nuk është tendencë vetëm shqiptare. Përdorimi masiv i aplikacioneve të komunikimit, si viber apo whatsapp, ka zëvendësuar në një masë të madhe komunikimin direkt nëpërmjet rrjeteve. Pjesërisht, rënia e thirrjeve zanor është kompensuar nga rritja e trafikut të internetit; por, rritja e linjave fikse të internetit bën që edhe shërbimi i internetit të lëvizshëm të zëvendësohet në një masë të konsiderueshme nga lidhjet me wi-fi.
Numri i abonentëve të internetit me linja fikse u rrit përsëri me ritme të lartë. Në fund të marsit, operatorët raportonin gjithsej 376 mijë përdorues, në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë. Konkurrenca e fortë në këtë segment ka bërë që pjesa e tregut të operatorit më të madh, Albtelecom, të bjerë gradualisht dhe tashmë është pranë nivelit 35%.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.