Tregu i policive private! Shumë probleme dhe 10 mijë të punësuar

Zhvillimim i ekonomisë pas viteve 90, zgjerimi i biznesit, si edhe rritja e krimit të organizuar janë disa nga faktorët që sollën nevojën e shërbimit privat të sigurisë. Vitet e fundit numri i këtyre kompanive në vendin tonë ka ardhur duke u rritur, po ashtu edhe numri i punonjësve të këtij shërbimi. Që prej vitit 2005 në 2014 numri i personave të punësuar pranë këtyre kompanive është dyfishuar nga 4,093 në 7995 punonjës ndërsa numri i kompanive që operonin në treg ka arritur në 316. Rritja e të punësuarve në këto kompani shërbimi të sigurisë private vijon dhe gjatë viteve 2017-2018, sipas të dhënave, rezultojnë të jenë 10 mijë të punësuar në një kohë që numri i kompanive është reduktuar nga 316 në 260 të tilla. Ky zhvillim është kryesisht rezultat i nxjerrjes jashtë ligjit të nënkontraktimit që ka çuar në mbylljen e një numri shoqërish të vogla, përgjithësisht në rrethe. Përgjithësisht, SHPSF-të në Shqipëri kanë rekrutuar një numër të vogël punonjësish ku subjektet më të vogla punësojnë deri në dhjetë persona dhe subjektet më të mëdha midis 100 dhe 200 persona. Kjo tendencë është kryesisht rezultat i dispozitave ligjore të viteve 1993 dhe 2001 që përcaktonin tavane mbi numrin e punonjësve që mund të punësohen në SHPSF në nivel qarku. Për të anashkaluar këtë kufizim, shumë SHPSF kanë nënkontraktuar shoqëri me qendër në rrethe të tjera. Si përgjigje, ligji i vitit 2014 e hoqi tavanin mbi numrin e të punësuarve, por ndaloi edhe nënkontraktimin. Që prej asaj kohë, shumë shoqëri janë shkrirë me ish-partnerët që nënkontraktonin duke bërë që shoqëritë aktuale të zgjerohen në madhësi dhe numër punonjësish, ndërsa numri i përgjithshëm i shoqërive të ulet.
Ligji për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike
Ligji i ri për këtë shërbim vuri disa kritere që shoqëritë private të sigurisë fizike duhet t’i respektonin. Së pari ky ligj përcakton se punonjësit e SHPSF-ve janë të detyruar të respektojnë ligjet e vendit, rregulloret dhe standardet etike. Ligji, po ashtu, kërkon që të gjithë punonjësit e SHPSF-ve të pajisen me certifikatë nga Policia e Shtetit. Certifikatat për punonjësit lëshohen nga Drejtoria e Policisë së Qarkut brenda 30 ditëve nga data e aplikimit, pas shqyrtimit nga Komisioni. Por ky ligj i dha rëndësi trajnimit të punonjësve dhe një nga kushtet për marrjen e certifikatës është që punonjësit e interesuar të shërbimit të kenë ndjekur një trajnim profesional të ofruar nga PSH apo një qendër e licencuar trajnimi dhe të kenë kaluar provimin lidhur me njohuritë që kanë marrë. Për të përmirësuar cilësinë e trajnimit, ligji i vitit 2014 parashikon që trajnimi duhet të mbikëqyret edhe nga Policia e Shtetit si dhe lejon funksionimin e qendrave private, të cilat duhet të diversifikojnë ofertat e trajnimit. Përveç arsimit të mesëm sipas ligjit të 2014-ës punonjësit në kompanitë private të sigurisë fizike duhet të nisin këtë profesion jo më herët se mosha 21 vjeç.
Çmimet për ofrimin e shërbimeve
Çmimet e shërbimeve llogariten mbi bazë të shpenzimeve të pagës bruto për një roje shumëzuar me numrin total të rojeve. Edhe kostot e tjera dhe ato administrative llogariten, por paga e rojeve përbën pjesën kryesore të shpenzimeve. Klientët si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat priren të kontraktojnë SHPSF-të që bien dakord me çmimin më të ulët. Sipas një raporti të bërë publik nga instituti IDM, çmimi i ofruar nga bankat për një roje ka ardhur duke u ulur vazhdimisht dhe pothuaj është përgjysmuar në dhjetë vitet e fundit. Në një treg me konkurencë të lartë, SHPSF-të mendojnë se çmimet më të ulëta janë e vetmja mënyrë për të siguruar kontrata. Në planin afatgjatë, vetëm shoqëritë e mëdha do të përfitojnë nga kjo dukuri, sepse shoqëritë më të vogla nuk do të jenë në gjendje të përballojnë financiarisht koston e ofrimit të shërbimeve. Për të mbijetuar, disa SHPSF përdorin metoda jo plotësisht të ligjshme ose edhe të paligjshme për të kursyer para. Sipas këtij studimi të tregut nga IDM, rezuton se shqyrtimi i tërësishëm i bilanceve financiare dhe të dhënave të punësimit tregojnë mospërputhje midis të ardhurave të siguruara nga prokurimi publik, të ardhurave totale të deklaruara, dhe numrit të punonjësve që ato kanë. Mospërputhje të tilla janë evidente në përmasa të ndryshme edhe për SHPSF-të e tjera, edhe pse shoqëritë ofrojnë të njëjtin shërbim dhe me çmime pothuajse të njëjta. Kjo tregon se disa SHPSF përfitojnë nga boshllëqet në sistem dhe mungesën e efikasitetit të institucioneve përgjegjëse për deklarimin e të ardhurave dhe tatimeve për shmangien e taksave.
Pagat e punonjësve
Pas miratimit të ligjit për shërbimin privat të sigurisë fizike në korrik të vitit 2014 paga e punonjësve u bë sa paga minimale, plus gjysmën e vlerës së saj. Konkretisht paga minimale e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave është 24 mijë lekë në muaj dhe së bashku me gjysmën e vlerës së saj shkon në 36 mijë lekë në muaj. Një vit më parë ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri i quajti të nënvlerësuar punonjësit në këtë sektor duke paralajmëruar masa për heqje licence për ato kompani të cilat vazhdonin t’i paguanin më pak se 30 mijë lekë në muaj. Sipas verifikimeve rezulton që sot një polic privat është shumë i nënpaguar. Ka raste kur paguhet vetëm 40% e pagës së deklaruar. Ka raste nuk i jepen as orët e pushimit, siç i takon në bazë të ligjit. Ka raste që nuk përmbush as detyrimet minimale për të qenë polic privat.
Sipas Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, rezulton se numri i punonjësve që punojnë realisht për SHPSF-të mendohet të jetë më i lartë sesa ai që raportohet, me qëllim për të shmangur pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shoqëritë priren të deklarojnë një numër më të vogël punonjësish. Të dhënat e mbledhura nga intervistat dhe statistikat sugjerojnë nga ana tjetër se shumë SHPSF nuk punësojnë më shumë njerëz, por përpiqen të kursejnë fonde duke u shtuar ngarkesën e punës punonjësve të tyre, duke u zgjatur orarin e punës si dhe duke mos u dhënë të drejtën e lejes 21-ditore apo të pushimit për festa zyrtare. Sipas vlerësimeve të përafërta nga intervistat me përfaqësues të SHPSF-ve, numri total i të punësuarve si roje sigurie që nuk janë subjekt i rregullimeve të parashikuara nga Ligji për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike, sepse nuk janë të licencuar ose të deklaruar mund të tejkalojë shifrën 10 mijë vetë.
Ndryshimi i kritereve për marrjen e licencave
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, licencat me ndryshimin e disa kritereve do të jenë të specializuara dhe vetëm nëse subjektet përmbushin kriteret do të mund të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e ndryshme. Licencat ndahen në tri kategori, sipas funksionit dhe të drejtave që ato përfshijnë. Subjektet e interesuara nuk kanë kufizime në sa nënkategori licencash mund të përfitojnë. Licenca e nënkategorisë 1.3.A – “Sigurimi fizik i objekteve shtetërore e private, i personave, si dhe veprimtarive social-kulturore, sportive, fetare e politike”Licenca e nënkategorisë 1.3.B – “Sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare e sendeve të çmuara gjatë transportit”Licenca e nënkategorisë 1.3.C – “Qendra të Trajnimit Privat të Punonjësve të SHPSF-së”. Të trija këto nënkategori nuk kanë afat, por kanë disa detyrime që i ndjekin. Konkretisht, aktiviteti duhet të nisë brenda një viti nga marrja e licencës, tarifa e licencimit duhet paguar brenda tre muajsh, ndërsa në rast të largimit të drejtuesit teknik subjektet duhet të lajmërojnë Policinë e Shtetit dhe të aplikojnë për certifikimin e drejtuesit të ri, pranë QKB. Rregullat e reja ndalojnë që titullari i SHPSF, drejtuesi teknik dhe punonjësi i shërbimit të mund të jetë njëkohësisht punonjës në Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, SHISH apo Policisë së Burgjeve. Vetëm instruktorët e Qendrës së Trajnimit mund të jenë punonjës ose ish-punonjës të këtyre institucioneve publike. Qendra e Trajnimit Privat të Punonjësve të SHPSF-së duhet të plotësojë disa kritere si, të ketë ambiente zyre për të akomoduar stafin, zyra për dokumentet, ambiente për stafin mbështetës dhe magazinë për pajisjet; të ketë një palestër të pajisur komplet, jo më pak se 60 metra katror; të ketë 3 klasa me kapacitet deri në 25 kursantë; të ketë poligon civil qitje; të jetë e pajisur me nyje hidrosanitare; të jetë e pajisur me ndihmën e shpejtë si dhe të ketë sistem mbrojtjeje kundër zjarrit, së bashku me shkallët e emergjencës si edhe një sërë kriteresh të tjera ligjore.
Titullari i SHPSF-së dhe Qendrës së Trajnimit nuk mund të jetë titullar i një subjekti tjetër të të njëjtës natyrë. Për certifikimin e këtyre titullarëve, mes dokumenteve të kërkuara paraqiten si kritere vetëm nevoja që ai të ketë përfunduar arsimin e mesëm, një raport mjeko-ligjor për aftësitë fizike dhe mendore, si edhe të ketë një kontratë qiraje 4-vjeçar apo pronësie, në rast të licencës 1.3.C.Të gjitha kërkesat për certifikim do të shqyrtohen nga Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave për Certifikim dhe Licencim, i cili ngrihet në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, pasi licencat janë të vlefshme në rang vendi.Ndërsa kërkesat për certifikimin e punonjësve të Shërbimit do të shqyrtohen nga një komision i ngjashëm në Drejtorinë Vendore të Policisë. Kur shkeljet e subjektit të licencuar nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë shkelje administrative dhe dënohen me gjoba, që variojnë nga njëzet mijë deri në njëqind mijë lekë. Të ardhurat nga gjobat e vendosura derdhen në Buxhetin e Shtetit.
Prokurimi i sigurisë, shumë korrupsion
Eksperti i sigurisë Arjan Dyrmishi thekson për “SCAN“ se prokurimi publik në Shqipëri, pavarësisht disa përmirësimeve, mbetet ende mjaft i prekur nga korrupsioni. Ndër problemet kryesore të identifikuara në prokurimin e shërbimeve private të sigurisë përfshihen mungesa e transparencës dhe favorizimet në procesin e përzgjedhjes si dhe përzgjedhja e kontraktuesve bazuar në ofertën me çmimin më të ulët. Buletinet e Prokurimit Publik tregojnë se institucionet shtetërore zgjedhin shoqëritë private të sigurisë në bazë të ofertës më të ulët apo çmimit më të ulët të ofruar, pa asnjë kriter zyrtar për cilësinë e shërbimeve. Shpesh ato prokurojnë shërbime sigurie duke llogaritur kostot e shërbimeve në bazë të pagës minimale. Në planin afatgjatë, këto praktika kanë pasur ndikim negativ në zhvillimin e tregut dhe cilësinë e shërbimeve.
Legjislacioni shqiptar parashikon 7 lloje procedurash standarde prokurimi dhe kushtet ku lejohet përdorimi i secilës prej tyre. Nga hulumtimi u konstatua se gjatë vitit 2014 rreth 12% (106 nga 867) e tenderave publikë janë zhvilluar nëpërmjet “procedurës së hapur”. 362 tendera janë zhvilluar nëpërmjet ‘kërkesës për propozim’, ku autoriteti kontraktues fton të paktën pesë shoqëri për të marrë pjesë në tender dhe 399 tendera janë realizuar nëpërmjet ‘procedurës me negocim’ pa shpallje paraprake. Procedura e fundit nuk parashikon shpalljen e njoftimit, por përzgjedhjen e një numri shoqërish nga autoriteti kontraktues. Kjo procedurë duhet të përdoret vetëm në raste të veçanta.
Nertila Doko/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.