Tregu i sigurimeve, AMF: Dëmet e paguara bruto u rritën me 70%

Tregu i sigurimeve shënoi në dy muajt e parë të vitit një rritje të të ardhurave nga primet e shkruara bruto, të cilat arritën 2.37 miliardë lekë, 25 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Referuar statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare vërehet edhe një rritje në numrin e kontratave me 33 për qind më shumë se janar-shkurt 2016. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.88% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës vetëm 7.12%.
Pjesa më dominuese në sigurimin e jo jetës vazhdon t’i mbetet sigurimit të detyrueshëm motorik që në total shënoi 1.42 miliardë lekë nga primet e shkruara bruto. Vetëm nga MTPL e brendshme kemi një rritje me 26.28 për qind në volumin e primeve të shkruara bruto.
Kjo ka ardhur si efekt i rritjes së numrit të kontratave me 23.2 për qind krahasuar me janar-shkurt 2016, por edhe nga rritja e primit nga kompanitë e sigurimit në fund të gushtit të kaluar. Ajo që vihet re nga gjithë raporti i AMF duket se ka të bëjë me dëmet e paguara bruto të cilat kanë shënuar një rritje me 70.71 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Në vlerë dëmet e paguara ishin 884 milionë lekë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.