Tregu i sigurimeve rritet me 19% – 8-mujori, turizmi nxiti sigurimin kufitar, bien dëmshpërblimet
Tregu i sigurimeve u rrit me afro 19.3 për qind në 8 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht 2021 kapën vlerën 12,6 miliardë lekëve, ose 19.28% më shumë. Gjatë periudhës janar-gusht 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 745 me një rritje prej 22.2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.6% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.1%. Primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.9% të totalit të tregut. Kështu primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë kësaj periudhe arritën rreth 7,6 miliardë lekë, ose 14.9% më shumë se në janar-gusht 2020. Produkti MTPL e brendshme, pati një rritje prej 9.73% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-gusht 2021 pati një rritje prej 27.17% të vëllimit të primeve të shkruara bruto.
Ndërkohë, për shkak të sezonit turistik dhe lëvizjes së qytetarëve, Sigurimi Kufitar, në 8 mujor, pati një rritje me 156.47% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-gusht 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 185.86%. Sa i takon dëmeve të paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,6 miliardë lekë, ose 7.2% më pak se në periudhën janar-gusht 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fundvitit 2019 gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik kapën vlerën 2,6 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 39.68% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.