Tregu i sigurimeve – Tremujori i parë 2018, kompanitë paguajnë më pak dëme
Dëmet në tregun e sigurimeve kanë pësuar një rënie të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve ranë me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia ka ardhur kryesisht nga dy klasa sigurimi mjaft të kushtueshme për kompanitë, kartoni jeshil, me 59% më pak dhe sigurimi i shëndetit, me 25%. Raporti mes dëmeve dhe primeve ka zbritur në 32%, duke qenë një ndër më të ulëtit në Europë.
Pakësimi i dëmeve është një lajm i mirë për siguruesit, ndërkohë që ecuria e tregut për s ai takon primeve të arkëtuara është edhe këtë vit mjaft e vakët. Për tre muajt e parë të vitit, primet e shkruara bruto u rritën me 2.5% krahasuar me tremujorin e parë 2017.
Tregu i sigurimit të jetës është në rënie, ndërsa i segmenti i jo-jetës ka regjistruar një rritje të dobët me 3.5%. Tregu i jo-jetës ka vazhduar të mbështetet në masën dërrmuese te sigurimet e detyrueshme, ndërsa klasat më të rëndësishme të sigurimit vullnetar këtë tremujor paraqiten në rënie.
Pesha e sigurimeve të detyrueshme motorike ka arritur në rreth 67% të totalit, çka dëshmon se industria e sigurimeve ngelet e varur kryesisht nga këto produkte.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.