Tregu i telefonisë-Vodafone me fitim, Telekom dhe Albtelekom me humbje
Tregu i shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm pësoi rënie për të dytin vit radhazi. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, të ardhurat e operatorëve celularë për vitin e kaluar kishin vlerën e 26.8 miliardë lekëve, ose rreth 10% më pak krahasuar me vitin 2017.
AKEP thekson se të ardhurat e tre operatorëve të tregut ishin në nivele të përafërta me vitin 2017, ndërsa rënia konsiston pak a shumë në vlerën e të ardhurave që kishte pasur operatori Plus Communication.
Këto të dhëna përputhen edhe me treguesit e tjerë statistikorë, ku duket se në fakt asnjë nga operatorët e tjerë nuk ka përfituar nga dalja prej tregut e Plus, qoftë në numër klientësh apo në të ardhura shtesë. Në analizën e AKEP, ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në tkurrjen e xhirove gjatë dy viteve të fundit është rënia e të ardhurave nga terminimi i thirrjeve ndërkombëtare.
Gjithnjë mbështetur në të dhënat e AKEP, situata nuk është shumë e mirë as për sa i takon përfitueshmërisë. E vetmja kompani me fitim vitin e kaluar ishte Vodafone Albania, në vlerën e 700 milionë lekëve.
Operatori më i madh në treg ka përmbysur humbjen prej 1 miliardë lekësh të vitit 2017.
Telekom Albania edhe për vitin e kaluar ka raportuar humbje në vlerën e 3.9 miliardë lekëve. Kjo i shtohet humbjeve edhe më të mëdha prej 5.4 miliardë lekë të raportuara gjatë vitit 2017. Afro 75 milionë euro humbje në dy vjet e shpjegojnë në një masë të madhe vendimin e grupit OTE për ta shitur kompaninë shqiptare.
Edhe Albtelecom ka raportuar humbje për vitin e kaluar, në vlerën e 330 milionë lekëve. Megjithëse Albtelecom prej vitesh ka një aktivitet prej humbje, për vitin 2018 humbjet zbritën me 71% krahasuar me vitin 2017.
Vetë AKEP thekson se rezultatet e dobëta financiare në vitet e fundit ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme mundësinë e operatorëve për të rritur investimet dhe për të përmirësuar teknologjitë, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për konsumatorët.
Por, pavarësisht nga kjo, AKEP dhe qeveria shqiptare nuk po heqin dorë nga çmimet e larta për spektrin e radiofrekuencave. Këtë vit, tenderi për brezin 800 Mhz dështoi të jepte dy nga tre të drejta përdorimi, sepse çmimi dysheme për pjesëmarrjen në tender, prej 7.44 milionë euro, u cilësua tepër i lartë nga operatorët Telekom Albania dhe Albtelecom.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.