Tregu mbushet me qese jashtë standardit! Inspektorati i Mjedisit gjobit tre subjekte për prodhim të qeseve që nuk degradohen

Nga Nertila Doko
Tre kompani prodhuese të qeseve plastike janë gjobitur nga Inspektoriati Mjedisor në harkun kohor të tre muajve, pas hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon prodhimin dhe tregtimin e qeseve plastike në vend. Gjatë aksioneve të përditshme të inspektoriateve në qytete të ndryshme të vendit janë vënë re një sërë shkeljesh nga ana e prodhuesve të plastikës ku dhe nuk kanë munguar masat të cilat deri më tani shkojnë në shumën e tre milionë lekëve, ndërkohë që dy prej kompanive të cilat janë identifikuar dhe gjobitur për shkelje të ligjit që ndalon prodhimin e qeseve të pariciklueshme, funksiononin pa leje mjedisore çka ka bërë që inspektoriati mjedisor të marrë masë plotësuese me pezullim aktiviteti.
Aksionet priten të përfshijnë gjithë tregjet të mëdhenj dhe të vegjël për shmangien e qeseve të tilla të cilat ende kanë mbetur stok edhe pse prodhimi në tre muaj ka rënë me 70%. Inspektorja Amantia Fejzolli sqaron etapat e inspektimeve qe kryhen, duke filluar me kompanitë e deri të tregtarët e vegjël, kjo për të nxitur zbatimin korrekt të standarteve të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave .
Sa kompani prodhuese të plastikës operojnë aktualisht në treg dhe në çfarë faze janë kontrollet?
Që prej hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për ambalazhet plastike, Inspektoriati i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit ka qënë në mbikëqyrje të vazhdueshme të situatës dhe ka kryer inspektime të vazhdueshme në çdo subjekt që merret me veprimtari linjë prodhimi të produkteve plastike. Fillimisht, nga informacionet e marra nga degët rajonale të inspektoriatit të mjedisit si edhe nga drejtoria e tatimeve rezultonin se operonin në vendin tonë 22 subjekte me këtë veprimtari. Nga inspektimet në terren, u vu re se operonin 25 subjekte të tilla; pra, tre subjekte ushtronin veprimtarinë e tyre të paregjistruar.
Inspektoriati i mjedisit ka pasur bashkëpunime të ngushta edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave duke i kërkuar atyre informacion për çdo subjekt i cili importon qese plastike. Në vijimësi të aksionit, nga rezultatet në terren dhe nga inspektimet që iu janë bërë subjekteve të ndryshme që operojnë në këtë drejtim u konstatuan tre subjekte të cilat vepronin në kundërshti me Vendimet e Këshillit të Ministrave. Ndaj një subjekti është marrë masë administrative deri në 1 milion lekë të reja, pasi ushtronte veprimtarinë në kundërshti me kushtet e VKM –së, dhe ndaj dy subjekteve të tjera është marrë masë administrative si edhe masë për pezullimin e aktivitetit, pasi u konstatua se këta subjekte ushtronin veprimtarinë e tyre të papajisur me leje mjedisore.
Cilat janë problematikat e ndeshura gjatë këtij aksioni?
Një ndër problematikat e hasura gjatë këtij aksioni kanë qenë qeset plastike me doreza të mbetura stok, të cilat janë hedhur në treg para hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave. Për zgjidhjen e kësaj problematike, inspektorati i mjedisit do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me njësitë e qeverisjes vendore, për të kontrolluar tregun e brendshëm në mënyrë që të bëhet eliminimi i përdorimit të çdo qeseje plastike të hollë me doreza me trashësi nën atë të lejuar me ligj.
Cila është masa që do të merret në rastet e evidentimit të shkeljes së ligjit nga ana e tregtarëve?
Interpretimi i ligjit do të bëhet sipas rastit, patjetër që do të merren masa kur evidentohen raste të shkeljes së ligjit dhe këto masa do të jenë akoma më të rënda nëse rezultojnë raste të përsëritura.
Tregtarët dhe prodhuesit ankohen
“Scan Magazine” ka vëzhguar disa tregje në kryeqytet ku ajo që vihet re është se shumica e tregëtarëve tregtojnë qese plastike të cilat janë brenda kritereve të përcaktuara me ligj. Tregtarët shprehen se çmimi i qeseve me standarin e ri ka arritur në 300 lekë për kilogramë, nga 80 lekë që ka qenë më parë. Sipas tyre, aplikimi i masave të reja është bërë për përfitimin e prodhuesve dhe jo për të mirën e mjedisit apo qytetarëve. Në shumicën e rasteve, qeset iu jepen falas qytetarëve duke marrë përsipër koston. Madje, ata shprehen se po mendojnë t’i heqim fare dhe të fusim çantat e letrës kushtojnë më pak.
Përfaqësues të fabrikave të prodhimit të ambalazheve dhe produkteve plastike, deklarojnë se janë përshtatur me teknologjinë e re dhe standartet e reja që janë vendosur me ligj. Jorgo Gusho, administrator i “Thea Plast” shprehet se reduktimi i qeseve është i ndjeshëm. Sasia e prodhuar ka rënë në 65%-70%. Materiali është biodegradues, lejohet në kontakt me ushqimin , i riciklueshëm, datën e prodhimit, kompaninë sipas të gjitha standarteve të kërkuara.
Ndërsa përfaqësuesi një një kompanie tjetër prodhimi të plastikës, i cili preferonte të mos prezantohej , hedh akuza se shteti nuk po monitoron tregun pas vendosjes së ligjit, duke lënë hapësira për abuzime. Sipas tij, në treg kanë hyrë qese të holla plastike nga vendet e rajonit.
“Këto qese po pushtojnë tregun dhe ne që zbatojmë ligjin po falimentojmë. Ligji doli që qesja të jetë 35 micron pra të jetë e trashë dhe klienti për këtë harxhon para. Tani kanë hyrë të tjera kompani të huaja dhe po na falimentojnë. Duke qënë se ne i jemi bindur ligjit të vendosur për të prodhuar brenda standardit dhe jemi të rregullt me të gjitha, atëherë kërkojmë nga shteti të na mbrojë duke mos lejuar kompani të huaja të shesin qese të holla pasi ato po na falimentojnë,” shprehet ai.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.