Tregu në ekuilibër – Interesat e borxhit qeveritar gjejnë stabilitet

Tregu primar i bonove dhe obligacioneve qeveritare u konfirmua i qëndrueshëm në ankandet e të martës.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.06%, në nivele pothuajse të njëjta me dy ankandet e mëparshme.
Kërkesa e tregut për bono ishte sërish e lartë, për një total prej 11 miliardë lekësh, kundrejt 9.2 miliardë lekëve të shpallura nga qeveria për financim.
Një tendencë e ngjashme u regjistrua edhe në ankandin e obligacioneve dyvjeçare.

Kuponi apo interesi i obligacioneve u rrit lehtë në 2.55%, nga 2.44% që kishte qenë në ankandin e muajit të kaluar. Rritja e lehtë e interesave u ndikua nga fakti që kërkesa në ankand ishte më e ulët, në 4.85 miliardë lekë, nga 5 miliardë lekë të shpallura nga Ministria e Financave.
Megjithatë, në dy muajt e fundit, tregu i instrumenteve të borxhit qeveritar po shfaqet mjaft i qëndrueshëm, pas luhatjeve të forta të interesave që nga mesi i vitit të kaluar.
Në gjysmën e dytë të vitit 2016 interesat u rritën me ritme të shpejta, rritje që u korrektua në muajt e parë të këtij viti, deri pranë niveleve aktuale, ku tregu duket të ketë gjetur një lloj stabiliteti.
Sistemi financiar ngelet likuid dhe kjo favorizon përcjelljen e politikës monetare lehtësuese, megjithatë, pa arritur në nivelet jashtëzakonisht të ulëta të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.