Tregu i sigurimeve Janar-Shtator 2017, AMF: Të ardhurat mbi 12 mld lekë. Llogaritja nga sigurimi i detyrueshëm motorik dhe ai vullnetar

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar zhvillimet e fundit në tregun e sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar-Shtator 2017.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – shtator 2017 kapën vlerën mbi 12,026 milionë lekë, ose 11.45% më shumë se në periudhën janar – shtator 2016.
“Gjatë periudhës janar – shtator 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 932,106 me një rritje prej 15.23% krahasuar me periudhën janar – shtator 2016. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.52% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.15% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.33%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 38.62% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 61.38% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar – shtator 2017, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,718 milionë lekë, ose 26.07% më shumë se në periudhën janar – shtator 2016”, thuhet në njoftimin e AMF-së.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar – shtator 2017 arritën rreth 7,382 milionë lekë, ose 11.06% më shumë se në periudhën janar – shtator 2016.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar – shtator 2017, pati një rritje prej 13.11% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.27% krahasuar me periudhën janar – shtator 2016.
“Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar – shtator 2017 pati një ulje prej 6.23% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 7.86% krahasuar me periudhën janar – shtator 2016.
Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar – shtator 2017, pati një rritje me 10.11% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – shtator 2016. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 6.17%”, thuhet në njoftimin e AMF.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar – shtator 2017 arritën rreth 4,664 milionë lekë, 12.07% më shumë se në periudhën janar – shtator 2016. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 23.41% krahasuar me periudhën janar – shtator 2016.
“Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar – shtator 2017, patën një rritje me 8.81% kundrejt periudhës janar – shtator 2016.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar – shtator 2017 siguruan rreth 2,053 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 74.66%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 16.07% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – shtator 2017, vihet re një rritje prej 12.03% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 6.51% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – shtator 2016.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar – shtator 2017, arritën në rreth 925 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 1.60% në krahasim me periudhën janar – shtator 2016.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar – shtator 2017, arritën rreth 860 milionë lekë, ose 28.85% më shumë se në periudhën janar – shtator 2016″.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar – shtator 2017 u rritën me 26.07% krahasuar me periudhën janar – shtator 2016. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,239 milionë lekë, apo 60.23% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.