Tregu i sigurimeve – “SIGAL” kryeson, por rriten kompanitë shqiptare
Tregu i sigurimeve edhe këtë vit kryesohet nga “SIGAL”, por në treg vërehet një rritje e kompanive më të vogla. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të tetorit “SIGAL” zotëronte 26.86% të tregut, në rënie të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Me diferencë të konsiderueshme, vendin e dytë në primet e arkëtuara e mban “EUROSIG”, me 15.49%, edhe kjo në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kompania e parë shqiptare në treg, sidoqoftë, ruan një avantazh të lehtë ndaj “SIGMA INTERALBANIAN”, që është e treta me 14.57% të primeve.
Kompanitë e vetme që po regjistrojnë rritje dyshifrore të primeve për këtë vit janë “INSIG” dhe “ANSIG”. Pas privatizimit, “INSIG” po rifiton pjesë tregu dhe në fund të tetorit mbante 7.36% të primeve totale vjetore, duke mbajtur vendin e gjashtë në treg. Më poshtë vijon “ANSIG”, që ndonëse ngelet në vendin e shtatë, e ka rritur pjesën e tregut në 6.47%. Sipas origjinës së kapitalit, tregu i sigurimeve të jo-jetës vazhdon të dominohet nga kompanitë austriake, të cilat së bashku zotërojnë mbi 52% të tregut sipas totalit të primeve.
Kompanitë shqiptare në total e kanë rritur pjesën e tyre të tregut për këtë vit, megjithatë, ato mbështeten kryesisht në sigurimet e detyrueshme. SIGAL kryeson bindshëm edhe në segmentin e sigurimit të jetës, me mbi 65% të totalit të primeve, e ndjekur nga SiCRED me 21% dhe “INSIG” me afërsisht 14%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.