Treguesit fiskalë për 3 mujorin e parë të 2017, MF: Të ardhurat totale, 100.8 miliardë lekë
“Të ardhurat totale në 3 mujorin 2017 janë realizuar në masën 100.8 miliardë lekë ose rreth 104 për qind në raport me planin e periudhës”.
Ministria e Financave ka publikuar së fundmi treguesit fiskalë ku jepen të dhënat mbi të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat nga akciza dhe të ardhurat nga TVSH në import etj.
Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 3 mujorin 2017, u realizuan në vlerën 89.6 miliard lekë, 4.9 miliard lekë ose 5.7% më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe 5.4 miliard lekë ose 6.4% më shumë se plani. Ndërsa të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 1.4 miliard lekë, 4% ose 52 milion lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016, dhe 1.5% më pak se plani.
Sa in takon të ardhurave të grumbulluara nga akciza, MF konfirmon se janë realizuar në vlerën 9.2 miliard lekë, 7.6% ose 654 milion lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016, dhe 5.6% ose 486 milionë lekë më shumë se plani. “Ndikim kryesor ka pasur Importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi rreth 116 mijë ton, me një rritje prej 4600 ton ose + 4.1% krahasuar me 3 mujorin e vitit 2016. Gjithashtu rritje kanë shënuar importi i Gazit të Lëngët me 13%, importi dhe prodhimi i birrës me 12%, importi i pijeve energjike me 42%, importi dhe prodhimi i verës me 5.5%, importi i Cigareve dhe kafes ka ruajtura afërsisht nivelin e Janar-Mars 2016 ndërkohë që është rritur deklarimi i prodhimit vendas të duhanit me rreth 50%. Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 585 milionë lekë, 9.1% ose 49 milion lekë më shumë krahasuar me 3 mujorin e vitit 2016 dhe 33% ose 146 milion lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka pasur rritja e çmimit të mineraleve në tregun ndërkombëtar me rreth 48% krahasuar me Janar-Mars 2016 dhe rritja e sasisë së mineraleve të eksportuara me 47% krahasuar me Janar-Mars 2016”.
Nga ana tjetër, sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 22 miliard lekë, 4.9% ose 1 miliard lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe 4.7% ose 987 milion lekë më shumë se plani.
“Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 9.2 miliard lekë, 4.1% ose 362 milion lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 91.8%. Faktor pozitiv që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe karburantit ndërkohë që krahasuar me 3 mujorin 2016, rimbursimi i TVSH është rritur 14%. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 11.2 miliard lekë, 3.6% ose 390 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 36.8% ose 3 miliard lekë më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka pasur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve deri tel konsumatorët fundorë. Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 7.7 miliard lekë. Kontributi i këtij zëri në të ardhura është 3.8% ose 304 milion lekë më pak se 3 mujori i vitit 2016 dhe 5.2% ose 425 milion lekë më pak se plani. Ndikim në deklarimet e kësaj takse ka pasur reduktimi i pagesës së tatimit në burim për shitjet e pasurive të paluajtshme për shkak të ligjit të rivleresimit në 2% nga 15% që është niveli bazë”.
Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar 8.7 miliard lekë, 16.1% ose 1.2 miliard lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit në masën 114% ose 1 miliard lekë.
Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 19.6 miliard lekë, 7.8% ose 1.4 miliard lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016 dhe 5% ose 934 milion lekë më shumë se plani. Rezultati shumë i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhoje e numrit të të punësuarve.
Ecuria e shpenzimeve
Në të dhënat e fundit është publikuar edhe ecuria e shpenzimeve. Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2017, arritën në rreth 91.9 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë ka rezultuar rreth 11.3 për qind më i lartë, ose rreth 9.3 miliard lekë.
“Shpenzimet korrente në raport me planin 3 mujor të këtij viti rezultuan në 82.7 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar me 11.3% më i lartë ose rreth 7.4 miliard lekë më shumë. Shpenzimet kapitale për 3 mujorin e vitit 2017, paraqesin një realizim në masën rreth 9.5 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është 31.5% më i lartë, ose rreth 2.3 miliard lekë më shumë.
Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale në 3 mujorin 2017 janë realizuar në masën 100.8 miliardë lekë ose rreth 104 për qind në raport me planin e periudhës. Realizimi i shpenzimeve të përgjithshme është 91.9 miliardë lekë ose rreth 97 përqind kundrejt planit të periudhës. Kjo situatë është shoqëruar me një suficit buxhetor prej afërsisht 8.93 miliardë lekë”, thotë MF.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.