Treguesit fiskalë, viti 2016 mbyllet me 9.5 mld lekë më pak se plani

Viti 2016 është mbyllur me 9.5 miliardë lekë më pak, në zërin e të ardhurve në buxhet, nëse krahasimin e bëjmë me planin e qeverisë sipas aktit normativ. Konkretisht, sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, në total deri në dhjetor, të ardhurat shënuan rreth 405 miliardë lekë nga 414 miliardë lekë që ishte plani, çka në përqindje i korrespondon një realizmi me 98 për qind.
Vetëm nga të ardhurat tatimore dhe doganore kemi një mosrealizim në vlerën 6.4 miliardë lekë, pasi sipas planit duhet të ishin arkëtuar 282 miliardë lekë, por konkretisht rezultojnë vetëm 275 miliardë lekë. Por, edhe pse me një mosrealizim deri diku të konsiderueshëm, të marrë një për një, zërat e të ardhurave tregojnë të dhëna interesante mbi sjelljen e biznesit dhe efektet e fushatës antinformalitet.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka edhe peshën kryesore në mosrealzimim me 6.5 miliardë lekë më pak, ose 95 për qind e planit, duke treguar një konsum ende të dobët. Por, nga ana tjetër, kemi një kompensim që vjen nga tatimi mbi fitimin, me 4.3 miliardë lekë më shumë ose 120 për qind.
Biznesi i vogël, nga ana tjetër, rezulton me një realizim në një përqindje prej 225 për qind. Kjo vjen si efekt i një pritshmërie më të ulët për taksën e paguar nga ky biznes, prej 226 milionë lekë si rezultat edhe i lehtësimit që u bë një vit më parë. Ndërkohë që janë mbledhur 598 milionë lekë.
Në fund të 2015, i njëjti zë rezultonte 2 miliardë lekë. Dividenti, nga ana tjetër, është zëri me ecurinë më të dobët nga të ardhurat me një realizim 8 për qind që në vlerë llogaritet 83 milionë lekë. Planifikimi në buxhet ishte për 1 miliardë lekë.
Kjo do të thotë që ortakët e bizneseve kanë zgjedhur të riinvestojnë fitimin në vend, që ta ndajnë atë duke evituar edhe taksimin. Një vit më parë zëri i dividentit ishte 528 milionë lekë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.