“Trojka”, së shpejti në Athinë – KE dhe FMN do të dërgojnë grupin e teknikëve

Zyrtarë të lartë nga Eurogrupi kanë konfirmuar zërat se, mes Greqisë dhe kreditorëve ndërkombëtarë janë thyer barrierat dhe se është arritur një marrëveshje, e cila me shumë gjasa do të firmoset në prill, në mbledhjen e radhës së Eurogrupit.
Brukseli ka rekomanduar që në Athinë të dërgohet sa më shpejt grupi i punës, delegacioni i teknokratëve, për të mbyllur marrëveshjen në detaje në planin teknik.
Gjatë ditëve të fundit, burime nga Brukseli dhe Athina zyrtare kanë bërë me dije se, palët janë dakordësuar sa i përket pikave kryesore, kryesisht atë të reformës së punës, pensioneve dhe energjisë.
Gjatë javës, por ndoshta edhe në fundjavë, pritet që në Athinë të zbarkojnë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Europian me grupet e punës.
Pjesë e marrëveshjes mund të jetë edhe privatizimi i operatorit publik të energjisë. Marrëveshja pritet të zhbllokojë këstin e radhës së huasë si dhe të përmirësojë projeksionet e ekonomisë helene.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.