Tronditen bursat – Tregjet amerikane fshijnë gjithë vlerën e shtuar për vitin 2018
Tregjet amerikane të kapitalit ranë ndjeshëm ditën e Mërkurë, rënie që mori vrull nga sektori i teknologjisë dhe shqetësimet e investitorëve mbi rezultatet e kompanive në tremujorin e tretë.
Indeksi Dow Jones, ra me 608 pikë në 24,583.4 në total, duke fshirë të gjithë vlerën e shtuar për vitin 2018. Indeksi tjetër benchmark, Standard & Poor’s 500, ra me 3.1% në një nivel total prej 2,656.1, duke e kthyer gjithashtu negative performancën e vitit.
Nasdaq, indeks i përbërë kryesisht nga teknologjia, pati rënien më të madhe me 4.4%, duke hyrë në territorin e korrigjimit, ndërkohë që Facebook, Amazon, Netflix dhe Google, patën performancë negative.
Muaji tetor ka qenë historikisht ogur zi për tregjet e kapitalit. Disa faktorë mendohet se kanë tronditur tregjet këtë muaj; të ardhurat e dobëta të kompanive, konflikti mes Italisë dhe Bashkimit Europian për buxhetin, vrasja e gazetarit Khashoggi dhe shqetësimet mbi ekonominë botërore.
Pas mbylljes së sesionit tregtar në Shtetet e Bashkuara, bursat aziatike ndoqën me rënie të mëdha. Të gjithë indekset kryesorë të rajonit u tregtuan në rënie, duke e çuar humbjen totale nga fillimi i vitit në 5 trilionë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.