Trudeau, kryeministri që u “pagëzua” nga Nixon
Javët e fundit kanë qenë shumë të rëndësishme për Kanadanë dhe kryeministrin e saj Justin Trudeau. Pas marrëveshjes me Bashkimin Europian, Trudeau është takuar me udhëheqësit kryesorë europianë duke forcuar pozitat e Kanadasë si një nga liderët globalë.
I biri i kryeministrit të ndjerë kanadez Piere Trudeau, Justin Trudeau ndoqi hapat e të atit në vitin 2015, duke fituar zgjedhjet e duke u shpallur kryeministër i Kanadasë.
Vetëm pak muaj pas lindjes së tij në 25 Dhjetor 1971, në Otava, presidenti amerikan Richard Nixon parashikoi të ardhmen e tij politike gjatë një darke me babain e Trudeau-s. “Dua të ngre një dolli për kryeministrin e ardhshëm të Kanadasë. Për Justin Pierre Trudeau”, tha Nixon.
Në vitin 1994 u diplomua për letërsi në Universitetin McGill. Gjatë rinisë së tij ai bëri punë të ndryshme si roje në një klub nate, instruktor snowboard-i dhe rafting, prezantues në radio dhe profesor matematike.
Ndonëse përflitej shumë për një përfshirje të tij në politikë, Justin Trudeau iu bashkua Partisë Liberale vetëm në vitin 2006, ndërsa në 2008 fitoi një ndenjëse në parlament si përfaqësues i distriktit të Montrealit.
I zgjuar, joshës dhe karizmatik, Justin ka plot aftësi të tjera që i ka treguar gjatë viteve.
Në vitin 2007 ai mori rolin e një ushtari legjendar në një film historik në televizion, të quajtur “Lufta e Madhe”.
Përveç aftësive në aktrim, Trudeau u shfaq edhe si boksier i mirë në vitin 2012, kur mposhti në një ndeshje bamirësie senatorin konservator Patrick Brazeau.
Forcën e tij Justin e tregoi edhe jashtë ringut, kur u zgjodh udhëheqës i Partisë Liberale në vitin 2013.
Dy vjet më vonë, Trudeau i kërkoi popullit ta votonte, duke premtuar ndryshim të vërtetë, ulje të taksave për shtresën e mesme dhe rritje taksash për të pasurit. Ai gjithashtu u zotua të mbrojë të drejtën e abortimit si dhe të legalizojë kanabisin në Kanada.
Në tetor të 2015, partia e tij fitoi shumicën në parlament duke u rritur nga 36 ndenjëse në 184 ndenjëse, rritja më e madhe në historinë e vendit.
“Kanadezët kanë folur. Ju doni një qeveri me vizion dhe një axhendë për vendin që të jetë pozitive, ambicioze dhe me shpresë…Unë premtoj se do ta udhëheq një qeveri të tillë”, u shpreh Trudeau 43-vjeçar në fjalimin e tij të fitores.
Pas zgjedhjes së tij si kryeministër i vendit, Trudeau krijoi kabinetin e parë qeveritar me barazi gjinore, ku 50% të kabinetit përbehet nga femrat. Kur u pyet pse ai tha: “Sepse është viti 2015”.
Ai shpesh ka deklaruar se është feminist dhe e thotë sa herë i jepet mundësia. “Do ta them derisa të mos ketë më reagim ndaj këtij fakti, pasi atje duam të arrijmë”.
Trudeau ka edhe një tatuazh, tradicional për indigjenët e British Columbia-s. Presidenti i këshillit të Kombit Haida është shprehur në lidhje më këtë duke thënë: “Fakti se kryeministri ka art Haida në krahun e tij na bën shumë krenarë”.
Trudeau është i martuar prej vitit 2005 me prezantuesen kanadeze Sophie Gregoire. Çifti ka tre fëmijë, Xavie, Ella-Grace dhe Hadrien. Në vitin 2014, ai botoi librin e tij “Common Ground” (Pika e pajtimit), ku ndan kujtimet si djali i një kryeministri.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.