Trump dështon sërish – Tre republikanë e tradhtojnë, nuk votojnë anulimin e Obamacare

Edhe plani B i Donald Trump duket se ka dështuar. Pasi nuk ia doli të merrte përkrahjen e republikanëve në senat për të kaluar reformën e re në shëndetësi, ai vendosi që të vepronte me anulimin përfundimtar të Obamacare. Por duket se as këtu nuk mori dot mbështetjen nga njerëzit e partisë së tij, tre senatorë republikanë, mes të cilëve edhe John Mccain.
Kështu një ndër reformat më të përfolura gjatë administratës Obama, duket se do ta ketë mjaft të vështirë që të zhbëhet, pavarësisht përpjekjeve dhe premtimeve të njëpasnjëshme të Donald Trump. Presidenti amerikan e ka thjesht të pamundur të marrë mbështetjen e legjislativit në lidhje me këtë çështje.
“Tre republikanë dhe 48 demokratë zhgënjyen popullin amerikan. Ashtu siç e kam thënë vetë qysh në fillim, duhet lejuar që Obamacare të shpërthejë njëherë nga brenda, pastaj të ndërhyhet. Do të shikoni”– shkroi menjëherë në Twitter presidenti amerikan.
Trump ishte i bindur se të tijtë nuk do ta linin në baltë kësaj here, por duket se nuk i bëri llogaritë mirë. Me mos-zëvendësimin e Obamacare perëndon edhe një ndër premtimet kryesore të Trump gjatë fushatës elektorale.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.