Trump firmos urdhrin e ri për emigracionin

Presidenti i SHBA Donald Trump ka firmosur një urdhër të ri ekzekutiv për ndalimin 90-ditor të individëve nga gjashtë shtete me shumicë myslimane.
Iraku hiqet kështu nga lista e mëparshme me shtatë shtete, ndërsa njerëzit me viza të rregullta do të lejohen të hyjnë.
Masa përfshin gjithashtu edhe një ndalim 120-ditor ndaj të gjithë refugjatëve, ndërsa do të hyjë në fuqi në 16 mars për të shmangur çrregullimet në udhëtime. Paralajmërimi 10-ditor do të shmangë kështu kaosin e krijuar nëpër aeroporte, pas hyrjes në fuqi të urdhrit të parë të paparalajmëruar.
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se urdhri i ri “do të eliminojë dobësitë që terroristët islamikë radikalë mund dhe do të shfrytëzojnë për qëllime shkatërrimi”.
Diplomatit të lartë amerikan iu bashkuan edhe Kryeprokurori i ri Jeff Sessions dhe Sekretari për Sigurinë në Vend John Kelly në një konferencë për shtyp ditën e hënë, për të diskutuar direktivën e re.
“Ashtu si çdo shtet tjetër, SHBA ka të drejtën të kontrollojë kush hyn në vendin tonë dhe të mbajë larg ata që duan të na dëmtojnë”, tha Sessions.
Sipas FBI, mbi 300 njerëz që kanë hyrë në SHBA si refugjatë janë nën hetim për terrorizëm. Direktiva e re, ndonëse thotë se do të lejojë refugjatët e aprovuar nga Departamenti i Shtetit, do ta limitojë numrin e tyre në 50 mijë në vit.
Urdhri i ri heq edhe prioritetin e minoriteve të tjera fetare, ndërsa nuk prek qytetarët me Green Card nga këto vende.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.