Trump fton Powell për darkë – Diskutojnë ekonominë. Nuk do ndikojë te politikat monetare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, janë takuar në Shtëpinë e Bardhë, pas disa muajsh ku Trump ka kritikuar ashpër bankën për rritjen e normave të interesit.
Takimi, ku merrte pjesë edhe sekretari i Thesarit Steven Mnuchin dhe zv/Kryetari i Rezervës Federale, Richard Clarida, vjen pas takimit të politikave monetare të institucionit javën e kaluar, ku lajmëroi ndalimin e tkurrjes monetare. Darka në Shtëpinë e Bardhë, që i dha mundësi atyre që të përmirësojnë marrëdhëniet, mbuloi shumë tema mbi ekonominë, sipas një deklarate të Rezervës Federale.
Por, sipas bankës, nuk ndikoi në pritshmëritë e vendimeve të ardhshme të politikave monetare. Ftesa për darkë erdhi nga Presidenti, në mënyrë që të diskutohen zhvillimet e fundit ekonomike dhe mbi perspektivën e rritjes ekonomike, punësimin e inflacionin. Rezerva Federale deklaroi se Jerome Powell nuk ka diskutuar për pritshmëritë mbi politikat monetare, por theksoi se rrugëtimi i politikave do të varet kryesisht nga informacionet e ardhshme ekonomike.
Shefat e Rezervës Federale takohen shpesh me sekretarin e Thesarit, por bisedimet me presidentin, nuk janë të zakonshme. Darka e së Hënës përbënte takimin e parë mes Trump dhe Powell, që kur kryetari nisi detyrën një vit më parë. Presidentët në të kaluarën janë treguar të kujdesshëm ndaj kritikave për Rezervën Federale. Ndërkohë që kontrolli i institucionit mbi normat e interesit mund të shkaktojë shqetësime për administratën, aftësia e bankës qendrore për të marrë vendime është e lirë nga influenca politike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.