Trump, gati “faljen” – “Josh” Apple me “shoqe”, ul taksën mbi fitimet jashtë me 25%

Në paketën e re fiskale, Donald Trump kërkon që të ulë taksën mbi biznesin, nga 35% aktualisht, në vetëm 15%.
Kjo përkthehet në rreth 2000 miliardë dollarë humbje në 10 vite, dhe Kongresi nuk do ta ketë të lehtë ta kalojë, pavarësisht se kontrollohet nga republikanët. Trump i frikësohet një skenari të ngjashëm me Obamacare.
Donald Trump ka vendosur në paketën e re fiskale edhe një risi tjetër, që shihet më shumë si një falje. Taksa e re, prej 10%, do të aplikohet për fitimet e ndërmarrjeve amerikane jashtë vendit. Kjo taksë pritet të gjenerojë të ardhura shtesë nga rreth 2600 miliardë dollarë që aktualisht kompanitë amerikane strehojnë jashtë vendit.
Në vend të parë qëndron pikërisht Apple, që strehon rreth 230 miliardë dollarë jashtë vendit, duke iu shmangur tërësisht taksave.
Por, ekspertët shprehen se kjo mund të realizojë jo efikase, pasi kompanitë mund ta shmangin, duke deklaruar se kanë kryer investime jashtë vendit me paratë e fituara. Ky sistem përdoret gjerësisht në shumë vende të botës, e sidomos në Shtetet e Bashkuara.
Aktualisht taksa për fitimet jashtë vendit, fiksohet në 35%, e njëjtë me atë të fitimeve brenda vendit. Në këtë mënyrë, duke ulur me 25% taksën mbi fitimin, Trump kërkon të joshë nëpërmjet faljes kompanitë, që të sjellin kapitalin në atdhe.
Taksa mbi importet nga ana tjetër, duket se nuk do të jetë pjesë e paketës së re fiskale. Një tjetër prapa-kthehu duket se është edhe mospërfshirja e murit të famshëm në kufi me Meksikën në buxhetin e ri.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.