Trump humbet mbështetjen – Republikanët e rrëzojnë, Obamacare nuk anulohet
Presidenti amerikan, Donald Trump ka pësuar një disfatë të paprecedentë. Kongresi amerikan që kontrollohet po nga partia e tij, ktheu mbrapsht ligjin për të zhbërë Obamacare, që është edhe një ndër reformat më të famshme të ndërmarra nga presidenca Obama e që i referohet sistemit shëndetësor.
Ky ishte ndër premtimet kyç të Trump gjatë fushatës elektorale. Madje Trump, ditën e parë në detyrë, më 20 janar, firmosi si urdhër të parë ekzekutiv pikërisht procedurat që nisnin anulimin e Obamacare.
Rebelimi i krahut të moderuar të republikanëve ka gjeneruar këtë situatë që për Trump është mjaft e sikletshme. Tashmë Presidenti i ri amerikan nuk ka më kundër vetëm një pjesë të madhe të opinionit publik dhe ndërkombëtar, por edhe të tijët. Demokratët ndërkohë kanë qenë të bashkuar kundër ligjit ditën e Premte, kur ishte edhe afati i vendosur si ultimatum nga Trump.
Me dështimin e të Premtes, Obamacare, e firmosur në vitin 2010, vijon të mbetet në fuqi, pavarësisht plot 7 viteve premtime nga republikanët për ta rrëzuar atë. Rrëzimi i Trump tregon se ky i fundit do të ketë një presidencë mjaft të vështirë. Shumëkush me të drejtë tashmë vë në pikëpyetje premtimet dhe angazhimet e tij për të shkurtuar taksat dhe nxitur shpenzimet në infrastrukturë. Me shumë gjasa tregjet do ta reflektojnë këtë, që në sesionin e parë të javës së ardhshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.