Trump i “lutet” Kongresit: Aprovoni investimet, murin dhe emigrantët
Donald Trump përballë Kongresit amerikan premtoi rritje të pagave si dhe anulimin e Obamacare. Vec të tjerash, ai kërkoi mbështetje nga kongresmenët për të aprovuar planin e investimeve prej 1 trilionë dollarësh.
Shkurtimi i taksave dhe ndalimi i emigrantëve janë dy prej pikave të tjera të nxehta të prekura nga presidenti amerikan. Shtëpia e Bardhë ka bërë gati një urdhër tjetër ndalimi, tashmë për 6 vende muslimane, duke përjashtuar Irakun.
“Emigrimi do të jetë i bazuar vetëm në meritokraci”-theksoi kreu i shtëpisë së Bardhë përballë kongresit amerikan. Ndër të tjera, ai me krenari shtoi: do të ngremë një mur mjaft të madh në kufi me Meksikën për të ndaluar drogën dhe krimin.
“Roli im nuk është që të përfaqësoj Botën, por shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht kësaj ai shtoi: “Amerika është gati të udhëheqë botën”. “I kërkoj Kongresit sot që të anulojë Obamacare duke e zëvendësuar me reforma që rrisin shanset për të zgjedhur, ulin kostot dhe përmirësojnë shërbimin”-nënvizoi Trump.
Sa i përket investimeve, ai u shpreh se, ka ardhur momenti për të rindërtuar infrastrukturën amerikane. Nga ana tjetër, presidenti amerikan deklaroi se është një mbështetës i tregtisë së lirë, por se, me marrëveshjet e fundit, Shtetet Bashkuara kanë humbur. Duke i ‘u referuar Nato-s, ai deklaroi se, vendet anëtare duhet të paguajnë atë që i takon.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.