“Trump-Juncker”, përfundon me sukses – Ulin shqetësimet mbi tregtinë, SHBA tërhiqet nga tarifat e makinave
Presidenti Donald Trump ra dakord të përmbahet nga vendosja e tarifave për makinat europiane, gjë të cilën Jean-Claude Juncker e cilësoi si një “lehtësim të madh”, ndërkohë që të dyja palët nisën negociata për të ulur barrierat e tjera tregtare. Kjo ka ulur shqetësimet mbi një luftë tregtare transatlantike.
Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker, thanë se bisedimet do të synojnë gjithashtu zgjidhjen e çështjes së tarifave për çelikun dhe aluminin.
Marrëveshja erdhi pasi përplasja tregtare me Kinën soli “viktimën” e radhës, ndërkohë që Kina refuzoi ofertën e Qualcomm për të blerë firmën kineze NXP, dakordësi që prekte verat e 44 miliardë dollarë.
Trump tha se Europa ka rënë dakord të rrisë blerjet e gazit të lëngshëm natyror të SHBA dhe të ulë barrierat tregtare për sojën amerikane, duke i dhënë nxitje sektorit të bujqësisë dhe energjisë.
“Është arritur një marrëveshje që askush se priste”, publikoi Trump në Twitter, duke ndryshuar qasjen e 15 Korrikut ku e quajti Bashkimin Europian një “armik” tregtar.
Juncker tha se të dyja palët kanë rënë dakord se për sa kohë janë në negociata për tregtinë, do të përmbahen nga vendosja e tarifave, përfshirë ato mbi makinat europiane. Qeveritë europiane e quajtën marrëveshjen Trump-Juncker një sukses të madh.
“Është arritur një marrëveshje që mund të shmangë luftën tregtare dhe shpëtojë miliona vende pune. Kjo është pozitive për ekonominë globale”, tha ministri i ekonomisë në Gjermani, Peter Altmaier.
Dakordësia solli një fuqizim në tregjet amerikane. Aksionet në SHBA arritën nivele rekord ditorë, me indeksin S&P 500 ishte vetëm 1% larg nivelit më të lartë të të gjitha kohërave.
Dollari ra dhe euro u fuqizua, pasi ishte vendosur nën presion nga përkeqësimi i marrëdhënieve tregtare me SHBA. Aksionet e makinave europiane kryesuan rritjen, kryesisht BMË, Volkswagen dhe Daimler.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.