Trump – Kinë, miqësi e re! Takimi me Xi Jinping “sheshon” mosmarrëveshjet

Presidenti kinez, Xi Jinping, u mirëprit në Florida me ftesë të Presidentit amerikan, Donald Trump. Presidenti kinez deklaroi se, ai së bashku me presidentin amerikan patën një bisedë të këndshme si dhe arritën konsensus për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, duke premtuar të zgjerojnë bashkëpunimin në drejtim të tregtisë, investimeve, sigurisë diplomatike, kulturës por edhe shkëmbimeve njerëzore apo fusha të tjera.
Presidenti amerikan nga ana tjetër, përgëzoi Kinën për arritjet që ka bërë nën presidencën e Xi Jinping. Trump konfirmoi fjalët e presidentit kinez duke deklaruar se kanë arritur konsensus për një sërë çështjesh, si dhe kanë lidhur një miqësi të mirë.
Ministri i Jashtëm i Kinës, vetëm pak orë pas darkës mes dy liderëve, deklaroi se, marrëdhënia mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të përfitojë nga kontaktet e nivelit të lartë. Kjo deklaratë erdhi vetëm pak çaste pasi agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë deklaroi se, Presidenti Trump ka pranuar ftesën e homologut të tij kinez për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Kinë.
Gjatë fushatës elektorale, Donald Trump ka qenë ndër kritikët më të ashpër të Kinës, duke e akuzuar për zhvlerësime të qëllimshme të monedhës në mënyrë që të korrë përfitime në tregti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.