Trump konsideron mundësinë për një urdhër të ri kufizues

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve në avionin “Air Force One” se ësthtë duke konsideruar nxjerrjen e një urdhri të ri ndalues për qytetaret e disa shteteve të caktuara, duke rikthyer kështu kaosin e kufizimit të udhëtimeve.
Pra duket se vendimet e gjykatave nuk mund ta lëkundin Donald Trump nga vullneti për ta çuar deri në fund atë që ka nisur.
“Të hënën ose të martën do të nxjerr një urdhër të ri”, ishte komenti i tij, duke shprehur bindjen gjithashtu se do të fitojë betejën në gjykata për zhbllokimin e urdhrit ekzistues.
“Ajo është një betejë të cilën ne do ta fitojmë. Problemi i vetëm është në aspektin ligjor. Ajo kërkon kohë, por ne do të fitojmë. Kemi edhe mundësi të tjera dhe këto përfshijnë edhe nxjerrjen e një urdhri fringo të ri”, u shpreh presidenti.
Nuk dihet ende çfarë do të përmbajë dekreti i ri, por Trump la të kuptohet se ai mund të ndryshojë shumë pak nga i mëparshmi.
Presidenti u zotua se do të ndërmarrë shumë shpejt veprime për të mbrojtur qytetarët e SHBA përmes kontrollit të hyrjeve në Amerikë të njerëzve nga vende që shihen si kërcënime të mundshme terroriste.
“Votuesit më zgjodhën për ta mbajtur vendin të sigurtë, ndaj do të bëjmë shumë shpejt diçka për masa sigurie shtesë. Këtë do ta shihni javën që vjen”, ishin fjalët e shefit të Shtëpisë së Bardhë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.