Trump në Davos – Mnuchin prezanton axhendën, vizita pritet me protesta në Zyrih
Sekretari i Thesarit në SHBA, Steven Mnuchin po drejton ekipin ekonomik të Shteteve të Bashkuara në Forumin Ekonomik Botëror në Davos dhe Presidenti Donald Trump do të mbajë fjalimin e tij ditën e fundit më datë 26 Janar.
Trump do të udhëtojë në Davos, ku do të inkurajojë investimet në Shtetet e Bashkuara dhe bashkëpunimin mbi çështjet e sigurisë kombëtare, përfshirë programet bërthamore të Koresë së Veriut.
Këshilltari kryesor ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Gary Cohn, tha se Trump do ta përdorë fjalimin e tij për të inkurajuar kompanitë ndërkombëtare që të investojnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe të përfitojnë nga ndryshimi tatimor në SHBA.
Ai do të theksojë gjithashtu politikat e tij “Amerika e Para” dhe do të kërkojë më shumë politika reciproke në lidhje me tregtinë nga aleatët e Shteteve të Bashkuara.
Trump do të jetë presdienti i parë i Shteteve të Bashkuara në 20 vitet e fundit që do të marrë pjesë në Davos, duke patur kështu mundësinë për të biseduar me elitën “globaliste” që ka sulmuar gjatë kohës kur kandidonte në vitin 2016.
Ndërkohë, vizita e presidentit amerikan nuk po pritet pozitivisht në Zvicër. Mijëra protestues anti-kapitalistë kanë marshuar në Zyrih këtë javë për të demonstruar kundër vizitës së planifikuar të Donald Trump në takimin vjetor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.