Trump në Korenë e Jugut – Bisedime për tregtinë dhe “pazar” për armë

Presidenti amerikan, Donald Trump është ndalur në Korenë e Jugut, gjatë ndalesës së tij të dytë në turin aziatik. Në Seul, Trump zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij koreano jugor.
Trump nënvizoi se, tregtia ishte një ndër temat kryesore të takimit mes të dyve, dhe se një çështje e tillë është tema e preferuar e tij.
“Kjo është arsyeja se përse ne patëm një sukses kaq të madh një vit më parë në këtë kohë”- shtoi ai, duke iu referuar fitores ndaj rivales Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale.
Gjithsesi, duket se çështja më e diskutuar mes të dyve, por edhe çëshjta që do të zërë vëmendjen kryesore të takimeve të Trump në Azi, do të jetë ajo e Koresë së Veriut, një kërcënim permanent jo vetëm në Azi por tashmë për të gjithë botën.
Turi i Donald Trump në Azi do të zgjasë plot 12 ditë. Trump shtoi gjithashtu se, me presidentin koreano jugor u diskutua edhe çështja e blerjes së armatimeve amerikane nga ana e Seulit.
Gjatë takimeve të tij, si në Washington si jashtë vendit, Trump ia ka dalë thuajse gjithmonë që të shesë miliarda dollarë armë, dhe këtë e ka vendosur si objektiv primar gjatë takimeve të tij zyrtare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.