Trump në samitin e NATO: “Shpenzoni 2% të PBB për mbrojtjen”

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s, përpara fillimit të samitit, zhvilluan një ceremoni në ambientet e reja të kësaj aleance, ku u inauguruan edhe memorialet që përbëheshin nga pjesë të Murit të Berlinit dhe të Kullave Binjake, që u rrëzuan gjatë sulmeve të 21 shtatorit. Gjatë fjalës së tij, Trump ka shprehur rezerva ndaj vendeve anëtare të NATO-s, duke i bërë thirrje të kontribuojnë me 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje.
Gjithashtu, Trump bëri thirrje edhe për një bashkëpunim më të madh mes vendeve, në luftën kundër terrorizmit. Më herët gjatë ditës, Trump takoi udhëheqësit e BE-së. I pari që e priti ishte presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk. Pas takimit, Tusk tha se kanë gjetur pika të përbashkëta sa i takon dhunës së militantëve dhe Ukrainës.
“Kam ndjesinë se jemi pajtuar në shumë fusha. Pikë së pari rreth luftës kundër terrorizmit. Por, disa çështje mbeten të hapura, siç janë ndryshimet klimatike dhe tregu. Po kështu, nuk jam 100 për qind i sigurt se kemi qëndrime të njëjta mbi Rusinë. Edhe për konfliktin ukrainas jemi në një mendje”, tha Donald Tusk, President i Këshillit të BE-së.
Aleanca e Atlantikut verior është e gatshme për aktivizim në koalicionin anti-ISIS të drejtuar nga Amerika, dhe në samit kjo do të vendoset zyrtarisht. Për Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ky është “një mesazh i fortë politik”. Me këtë, aleanca demonstron unitet në luftën kundër terrorizmit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.