Trump në takimin e G7 – Bien dakord mbi proteksionizmin, shqetëson marrëveshja e Parisit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, premtoi se do të luftojë kundër proteksionizmit, duke u vendosur nën presion nga grupi i shtatë aleatëve, megjithatë, nuk ra dakord mbi ndryshmin klimatik, duke shtuar se i duhet më shumë kohë.
Samiti i grupit të shtatë vendeve më të pasura, vuri Trump kundër liderëve të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Italisë, Kanadasë dhe Japonisë mbi shumë çështje, ndërkohë që përfaqësuesit europianë rishqyrtuan problematika që i kanë mbyllur me kohë.
Megjithatë, liderët thanë se ka një dakordësi të gjerë mbi një serë problemesh të politikave të jashtme, përfshirë vlerësimin e rrezikut për sanksione të tjera ekonomike mbi Rusinë, nëse ndërhyn ndaj Ukrainës. Trump e quajti takimin si tejet produktiv, duke thënë se fuqizoi lidhjet e Shteteve të Bashkuara me partnerët e vjetër. Presidenti, i cili e ka cilësuar ngrohjen globale si një mashtrim, u vu nën presion nga liderë të tjerë për të mbajtur premtimin mbi marrëveshjen e Parisit. Ngurrimi i Presidentit mbi përballjen me ndryshimin klimatik, shqetësoi Kancelaren gjermane Angela Merkel.
“I gjithë diskutimi mbi ndryshimin klimatik ishte i vështirë. Nuk ka siguri se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në marrëveshjen e Parisit”, tha ajo. Emmanuel Macron nga ana tjetër, tha se është i sigurt që Trump, do të mbështesë dakordësinë e Parisit pas bisedave me homologët.
Zhgënjimi mbi ndryshimin klimatik u balancua nga lehtësimi kur Trump ra dakord për të luftuar të gjithë format e proteksionizmit. Në një tweet pas largimit nga samiti, Trump tha se çdo gjë shkoi mirë, veçanërisht te tregtia, duke theksuar një pjesë të komunikatës ku bëhej thirrje për heqjen e të gjithë “praktikave që shtrembërojnë tregtinë”.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.