Trump nuk lëshon pe për Bashkimin Europian – “Të heqin barrierat. Deficit i madh”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dha disa qartësi në lidhje me atë që BE shpresonte të ishte një përjashtim i kontinentit nga tarifat e reja mbi çelikun dhe aluminin. Disa orë pasi shefja e tregtisë në BE, Cecilia Malmstrom, tha se nuk e kishte të qartë nëse blloku do të përjashtohej nga tarifat e reja të planifikuara amerikane, erdhi dhe reagimi i prerë i Trump në Twitter.
“Bashkimi Europian, vende të mrekullueshme që e trajtojnë SHBA shumë keq në tregti, po ankohen mbi tarifat mbi çelikun dhe aluminin. Nëse ata do t’i heqin barrierat dhe tarifat e tyre të tmerrshme mbi produktet nga SHBA që futen në BE, atëherë edhe ne do t’i heqim tonat. Deficit i madh. Nëse jo, ne do të taksojmë makinat, etj. E DREJTË”, shkruan Trump.
The European Union, wonderful countries who treat the U.S. very badly on trade, are complaining about the tariffs on Steel & Aluminum. If they drop their horrific barriers & tariffs on U.S. products going in, we will likewise drop ours. Big Deficit. If not, we Tax Cars etc. FAIR!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) March 10, 2018
Përgjigja vjen pasi vetë Malmstrom i kishte përshkruar bisedimet me SHBA si të sinqerta por pa rezultat. Megjithatë BE do të vazhdojë të kërkojë një përjashtim nga masat e njoftuara, për shkak të rëndësisë dhe partneritetit të ngushtë tregtar.
Deri më tani Kanadaja, Meksika dhe Australia kanë siguruar përjashtime nga tarifa 25% mbi importet e çelikut dhe 10% mbi importet e aluminit, megjithëse Kanadaja dhe Meksika u kushtëzuan me rinegocimin e marrëveshjes NAFTA.
Trump i ka quajtur tarifat një çështje të sigurisë kombëtare, duke kërcënuar se do të taksojë makinat europiane dhe do të vendosë taksa reciproke ndaj vendeve që tarifojnë mallrat nga SHBA më shumë se çfarë ky shtet tarifon produktet e tyre.
Përjashtime kanë kërkuar gjithashtu edhe Japonia dhe Korea e Jugut.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.