Trump pezullon lotarinë amerikane – Preken mijëra shqiptarë, bllokohet edhe bashkimi familjar

Presidenti amerikan Donald Trump firmosi këtë të mërkurë një urdhër ekzekutiv që bllokon në mënyrë të përkohshme lëshimin e kartonëve jeshil jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Urdhri që për momentin ka një efekt të paktën 60 ditor, do të pezullojë kështu edhe programin e lotarisë amerikane, si dhe çdo instrument bashkimi familjar. Nëpërmjet lotarisë ose instrumentave të bashkimit familjar përfitojnë çdo vit mijëra shqiptar. Që prej vitit 1993 kur edhe filloi ky program janë më shumë se 45 mijë shqiptarët përfitues.
Shqiptarët janë të 5-tët në listën e vendeve më të mëdha përfituese në historinë e këtij programim me numrin e fituesve që varion nga 1500 deri në rreth 4400 vetëm për vitin 2018. Jemi padiskutim vendi i parë në Europë, madje edhe më shumë se një vend si Turqia. Vendimi i Trump do të shtyjë kështu për të paktën 60 ditë planet e disave por edhe pritjen e mijëra të tjerëve të cilët kanë aplikuar për lotarinë e këtij viti, përgjigja e së cilës pritej pikërisht në muajt e pranverës.
Duket se koha pritjes do të zgjatet. Vendimi vjen në kuadër të pandemisë globale. Donald Trump ka deklaruar se është e padrejtë që mijëra vendet e punës të humbura gjatë kësaj periudhe t`i zënë të huajt, dhe jo amerikanët. Përjashtimi i vetëm nga ky urdhër është për ata që kërkojnë vizë të përkohshme, e që në pjesën dërrmuese është për arsye turistike.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.