Trump prezanton buxhetin e orientuar tek mbrojtja – Shkurtime të thella për mjedisin dhe USAID

Shkurtime drastike fondesh për programet federale është ajo çka Presidenti Trump do t’i kërkojë kongresit amerikan, në përpjekje për të financuar shpenzimet në mbrojtje, nisjen e murit kufitar me Meksikën dhe deportimin e emigrantëve të jashtëligjshëm.
Propozimi për buxhetin e ri federal numëron kështu shumë humbës, nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e deri tek departamenti i Bujqësisë, Punës, Shëndetësisë, Edukimit, etj. Gjithashtu shumë vende pune federale pritet të shkurtohen, së bashku me programin për ndihmë ekonomike dhe humanitare në botë, USAID.
Të vetmet kabinete qeveritare të cilat do të kenë një rritje në buxhet janë ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe me veteranët e luftës.

Plani i presidentit për buxhetin duhet detajuar ende, ndërsa kalimi i tij nga Kongresi do të shkaktojë një “luftë” në lidhje me shpenzimet.
Ndonëse dhoma e kongresit kontrollohet nga republikanët, ai nuk do të kalojë pa ndryshime dhe kundërshtime të shumta. Është e qartë se demokratët do të kundërshtojnë një pjesë të mirë të tij, por edhe republikanët e moderuar kanë shprehur deri tani shqetësime për shkurtime në programe si ai për ngrohjen e banesave, ujit të pastër dhe trajnimeve për punë.
Drejtori i buxhetit për Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney u shpreh se Trump është i gatshëm të diskutojë për prioritetet e tij.
“Presidenti kërkon të shpenzojë më tepër në mbrojtje, sigurimin e kufirit, forcimin e ligjit dhe për zgjedhjen më të lirë të shkollave, pa rritur deficitin. Nëse do të ketë një rrugë tjetër për ta arritur këtë qëllim, atëherë jemi të interesuar të ulemi të flasim”, tha Mulvaney për gazetarët.
Plani i Trump parashikon shpenzimin e 54 miliardë dollarëve në mbrojtje dhe nisjen e disa premtimeve të tij elektorale, por nuk përfshin një tjetër premtim, atë të investimit të 1 trilion dollarëve në infrastrukturë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.