Trump rrëzon naftën – Kërcënon me tarifa prej 25% ndaj 525 mld USD produkte kineze
Çmimet e naftës e kanë nisur në rënie të konsiderueshme këtë javë, pasi Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se mund të rrisë në mënyrë të konsiderueshme tarifat ndaj produkteve kineze, duke rrezikuar dështimin e negociatave mbi tregtinë mes dy ekonomive më të mëdha në botë, ndërkohë që administratat e dy vendeve janë në mes të bisedimeve.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 60.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.3 dollarë për fuçi. Trump shkruajti në Twitter të dielën se mund të rrisë tarifat ndaj produkteve kineze gjatë kësaj jave, duke i rrezuar tregjet globale, duke përfshirë edhe naftën.
Ndërsa Wall Street Journal raportoi se Pekini po konsideron anulimin e të gjitha bisedimeve tregtare me Uashingtonin. Sipas analistëve, nëpërmjet këtij veprimi Trump do të vendosë tarifa prej 25% ndaj 525 miliardë dollarë produkte kineze, duke filluar nga dita e premte.
Ndërkohë, për sa i përket industrisë së naftës, ka shenja për një rritje të mëtejshme të prodhimit në SHBA, ndërkohë që aktualisht ekonomia më e madhe në botë prodhon 12.3 milionë fuçi në ditë, duke lënë pas Rusinë dhe Arabinë Saudite. Referuar të dhënave të publikuara, kompanitë amerikane të energjisë e rritën me 2 njësi numrin e puseve aktive, gjatë javës së kaluar, në totalin e 807 puseve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.