Trump shkarkon Bannon – Ish-kryestrategu: Do të luftoj për axhendën e presidentit

Ish-kryestrategu i Donald Trump deklaroi se, do të luftojë ndaj kundërshtarëve të politikave të Presidentit amerikan pas shkarkimit nga posti në Shtëpinë e Bardhë.
Steve Bannon, i cili i është rikthyer detyrës së tij si shef i faqes konservatore, “Breitbart News” tha se, do të luftonte për axhendën me të cilën Trump fitoi zgjedhjet.
“Tani jam i lirë. I mora sërish armët në duar”, deklaroi ai pas shkarkimit.
Nacionalisti i djathtë njihet si personi që e ndihmoi Donald Trump të siguronte fitoren në zgjedhje dhe është përplasur çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë për të avancuar pikëpamjet e tij radikale, lidhur me tregtinë në kuadër të motos “Amerika e para”.
Por, gjatë këtyre muajve ai pati kontradikta me figura të tjera të fuqishme në ekipin e ndihmësve të Presidentit, që e akuzojnë 63-vjeçarin për pikëpamje antisemitike e të supremacisë së bardhë.
Bannon është i fundit në radhën e bashkëpunëtorëve të Trump që largohet nga ekipi i Shtëpisë së Bardhë. Mediat sugjerojnë se, numri një i Uashingtonit u vu nën presion për të shkarkuar Bannon pas dhunës së shpërthyer në Sharlotsvill të Virxhinias, fundjavën e kaluar.
Presidenti amerikan nxiti spekulimet për largimin e mundshëm të tij, gjatë konferencës më herët gjatë javës, kur e vlerësoi ish-kryestrategun si një “person të mirë” dhe joracist, por ai shtoi se “mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me të”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.