Trump shkarkon Rex Tillerson – Zëvendësohet nga drejtori i CIA-s, Mike Pompeo
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka shkarkuar Rex Tillerson, nga posti i Sekretarit të Shtetit, duke e zëvendësuar atë me drejtorin aktual të CIA-s, Mike Pompeo.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka njoftuar përmes rrjetit social, Twitter, shkarkimin e Tillerson, duke e falënderuar atë për shërbimin e deritanishëm dhe duke shprehur besimin se Sekretari i ri i Shtetit, Pompeo do të bëjë një punë fantastike.
“Mike Pompeo, Drejtori i CIA-s, do të jetë Sekretari i ri i Shtetit. Ai do të bëjë një punë fantastike! Faleminderit Rex Tillerson për shërbimin tënd! Gina Haspel do të bëhet drejtorja e CIA, dhe gruaja e parë në këtë post. Urime të gjithëve!”, shkruan Trump në Twitter.
Sipas informacioneve brenda Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump i kishte kërkuar Tillerson të jepte dorëheqjen që të premten, e ndoshta mosbindja e tij e ka detyruar presidentin të ndërmarrë hapin e shkarkimit.
Tillerson ishte në një vizitë zyrtare në Afrikë, javën e kaluar, kur mësoi papritur njoftimin e Trump se do të zhvillonte bisedime me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Pompeo është shprehur thellësisht mirënjohës që ka shërbyer deri më tani në krye të CIA-s.
Ndërkohë, Gina Haspel, e cila ka mbajtur deri më tani postin e zëvendësdrejtores së CIA-s, nominohet për të pasuar drejtorin Pompeo, duke u bërë kështu e para femër në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.