Trump sulmon Amazon – “Paguan shumë pak taksa dhe nxjerr bizneset e vogla jashtë loje”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, akuzoi Amazon se nuk paguan mjaftueshëm taksa, përfiton nga sistemi postar në vend dhe se nxjerr shitësit e vegjël me pakicë jashtë loje. Trump ka sulmuar Amazon dhe kreun e kompanisë Jeff Bezos disa herë dhe akuzat e fundit vijnë pas raportimeve se presidenti është fiksuar me shitësin më të madh në botë me pakicë dhe kërkon t’i limitojë fuqinë, me shumë mundësi nëpërmjet ligjeve federale të konkurrencës.
“I kam shprehur shqetësimet për Amazon përpara zgjedhjeve. Ndryshe nga bizneset e tjera, Amazon paguan shumë pak taksa ndaj shteteve dhe qeverive lokale, përdor sistemin tonë postar për interesat e veta dhe nxjerr mijëra biznese jashtë loje”, shkroi Donald Trump në Twitter. Aksionet e shitësit me pakicë ranë me 4.5% në sesionin tregtar të ditës së Enjte, duke ndjekur rënien me 5% një ditë më parë.
Megjithatë, kritikat e Trump nuk ndikuan optimizmin e manaxherëve të fondeve në SHBA për Amazon, ndërkohë që aksionet e kompanisë thuajse janë 5-fishuar në 5 vitet e fundit. Sulmet e Trump ndaj Amazon reflektojnë një debat të vjetër mbi efektet e kompanisë ndaj ekonomisë amerikane. Firma punëson 566,000 staf me kohë të pjesshme e të plotë në SHBA dhe ka bërë që disa shitës të vegjël të zgjerohen bindshëm me shërbimin e Amazon. Megjithatë është fajësuar edhe për falimentimin e dyqaneve fizikë (brick-and-mortar), ndërkohë që pjesa më e madhe e njerëzve blejnë online.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.