Trump “zhyt” naftën – Tërheqja nxit prodhimin, çmimet bien nën $50

Çmimet e naftës ranë nën 50 dollarë për fuçi gjatë sesionit të sotëm, duke pësuar një rënie prej rreth 2% që në orët e para. Kolapsi i çmimeve vjen pas vendimit të Donald Trump për të braktisur paktin e klimës, çka mund të nxisë aktivitetin e shpim kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 49.75 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 47.46 dollarëve për fuçi. I gjithë tregu i lëndëve të para po reflekton vendimin e administratës amerikane për t’u tërhequr nga pakti i Parisit.
Vendimi i paprecedentë do t’u hapë rrugë prodhuesve dhe kërkuesve në Shtetet e Bashkuara, duke qenë se tashmë eliminohen rregullat strikte të ndotjes dhe emetimit të gazrave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.