Trump “zverdh” tregjet – Dollari në rënie të lirë, ari në “marshim”

Ndërkohë që Donald Trump po përballet me periudhën më të vështirë të Presidencës së tij, në këtë mes ka edhe fitues, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ari po marshon.
Donald Trump po përballet me një skandal që po merr përmasat e Watergate, dhe kjo ka gjeneruar një zhvlerësim të ndjeshëm të dollarit amerikan, e për rrjedhojë investitorët janë drejtuar drejt arit, ashtu siç ndodh rëndom në kohë pasigurish në tregje.
Metali i verdhë është rritur për të pestin sesion me radhë. Marshimi i fundit i ka çuar fitimet e arit në 8.4% gjatë këtij viti.
Tendenca e re e metalit të çmuar u pa menjëherë pasi Donald Trump shkarkoi kreun e Byrosë Federale të Investigimit, dhe u përforcua pas njoftimeve se presidenti ka ndarë informacion të klasifikuar me ministrin e jashtëm të Rusisë.
Këtë çështje e ka pranuar edhe vetë Donald Trump, duke pretenduar se është një e drejtë e tij që ta bëjë.
Shqetësimet që janë ngritur mbi Shtëpinë e Bardhë mund të ngadalësojnë ndjeshëm vendimet e politikave ekonomike, çka shkakton edhe paqartësi në tregje. Ekspertët nënvizojnë se, marshimi i arit vjen ekskluzivisht si pasojë e dobësimit të dollarit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.