Tsipras apel FMN: “O na ndihmoni, ose jo, vendosni brenda fundit të vitit”
Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të vendosë në rast se do të kontribuojë në programin e tretë të shpëtimit të Greqisë, brenda fundit të këtij viti, deklaroi kryeministri i vendit, Alexis Tsipras.
Ndër të tjera, ai i bëri apel fondit që të ndihmojë vendin për të përmbyllur me sukses dhe në kohë, rishikimin e programit të shpëtimit.
Në muajin Qershor të këtij viti, eurogrupi aprovoi një linjë të re kreditimit për vendin, prej 10 miliardë euro, ndërkohë që FMN deklaroi se, në princip do të bëhet pjesë e programit, duke sqaruar se, do të japë para vetëm në rast se do të jepen garanci për lehtësimin e borxhit helen.
“Ne mund të jetojmë me ose pa prezencën e Fondit. Ajo që ne nuk mund të bëjmë është që të jetojmë me Fondin që ka një këmbë brenda dhe një këmbë jashtë”, deklaroi kreu i ekzekutivit helen.
Sipas tij, fundviti është një kornizë kohore mëse e arsyeshme për institucionin me bazë në Washington që të vendosë. Sa i përket Greqisë, Tsipras shtoi se, vendi është i etur për investime.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.