Tsipras – kreditorëve: Mbani premtimin, Greqia i përmbushi angazhimet

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, vijon të kërkojë nga kreditorët masa emergjente për lehtësim të borxhit të vendit, duke deklaruar se, Athina është shumë pranë arritjes së këtij objektivi.
“Ne jemi më pranë se kurrë më parë lehtësimit të borxhit”, deklaroi numri një i ekzekutivit helen, duke shtuar se, për këtë, Greqia është dakordësuar që të ndërmarrë masa shtesë shtrënguese, dhe tani e kanë radhën kreditorët që të mbajnë premtimin e tyre.
“Topi nuk është më në fushën tonë”, nënvizoi Alexis Tsipras, duke ironizuar me deklaratat e kreditorëve për këtë çështje ndër vite. Një javë më parë, zyrtarë të larët të Eurozonës, deklaronin në fakt se, i takon Greqisë që të tregojë vullnet në miratimin e reformave, në mënyrë që kreditorët të vijojnë me lehtësimin e borxhit.
Athina zyrtare kërkon me çdo kusht, që masat për lehtësimin e borxhit të aprovohen gjatë takimit të radhës së eurogrupit në Bruksel më 22 Maj.
Ligjbërësit grek do të votojnë më 18 Maj paketën e re me masa shtrënguese. Qëndrueshmëria e borxhit grek, që mund të arrihet vetëm nëpërmjet masave lehtësuese, është një kusht themelor i Fondit Monetar Ndërkombëtar për tu përfshirë në program, por edhe e Bankës Qendrore Europiane për të përfshirë Greqinë në programin e shit-blerjes së titujve.
Sa i përket përfshirjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar në këtë program, ministri sllovak i financave deklaroi së fundmi se, institucioni do të bëhet pjesë e bordit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.