Tsipras merr votëbesimin/ Parlamenti grek nuk e tradhëton, gati për zgjedhjet e 26 Majit
Kryeministri grek, Alexis Tsipras fitoi të Premten në mbrëmje, besimin e parlamentit të vendit, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian, që do të jenë edhe testi i parë i vërtetë i qeverisë së tij, sa i përket shanseve për t`u rizgjedhur në zgjedhjet kombëtare të vjeshtës.
Kreu i ekzekutivit grek ktheu kështu mocionin kundër njërit prej ministrave të tij në një votë besimi nga parlamenti. Tsipras ja doli kështu të merrte mbështetjen e 153 ligjbërësve në një parlament me 300 vende, dhe ku votuan një total prej 289 deputetësh.
Qeveria e Alexis Tsipras, mandati i së cilës përfundon në muajin Tetor, në sondazhe udhëheq ndjeshëm përpara konservatorëve. Zgjedhjet e 26 Majit për Parlamentin Europian do të mbahen njëkohësisht me ato lokale.
Më herët gjatë javës, qeveria greke njoftoi një seri masash për vitet 2019-2021 që kanë për qëllim të lehtësojnë disi kufizimet financiare, përfshirë shkurtime taksash, si dhe një përfitim të përkohshëm për pensionistët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.