Tsipras “shpall” fitoren: Kreditorët pranojnë fundin e masave shtrënguese
Kreu i ekzekutivit helen, Alexis Tsipras, deklaroi se, rishikimi i dytë i programit të shpëtimit të Greqisë do të përfundojë brenda muajit Mars, nëpërmjet një kompromisi të ndershëm.
Ai shtoi se, ky kompromis do të thotë se, më në fund, pas 7 vitesh, kreditorët europianë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë pranuar se, masat shtrënguese duhet të marrin fund.
Alexis Tsipras, nënvizoi se, në marrëdhëniet mes Greqisë dhe kreditorëve është kthyer një faqe e re. Përfaqësuesit e kreditorëve ndërkombëtare nga ana tjetër do të rikthehen me një mision në Athinë.
Grupi i ekspertëve do të diskutojë në detaje reformat e ndërmarra dhe ato që do të ndërmarrë qeveria helene. Sipas kreut të ekzekutivit helen, rishikimi i programit të shpëtimit do të përfundojë brenda datës 20 Mars.
Nga ana tjetër, kreu i Bankës Qendrore të Greqisë, deklaroi se, në rast se, diçka e tillë nuk arrihet atëherë ekonomia greke do ta pësojë keq, të paktën në terma rritje.
Yannis Stournaras, shtoi se, projeksionet për një rritje prej 2.5% gjatë këtij viti, varen tërësisht nga përfundimet e misionit që do të zbarkojë javën e ardhshme në Athinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.