Tsipras shpjegon tërheqjen: “Masat shtrënguese, kusht për lehtësimin të borxhit”
“Greqia do të implementojë masa shtesë shtrënguese, që janë një kërkesë e huadhënësve, me kushtin që të përfitojë nga një lehtësim i borxhit në të ardhmen. Kjo do t`i mundësonte vendit të përfshihej në skemën e blerjes së titujve të Bankës Qendrore Europiane”, deklaroi Alexis Tsipras.
Kjo është deklarata e parë e kreut të ekzekutivit pas arritjes së marrëveshjes paraprake me kreditorët e që përfshin masa shtesë shtrënguese, si shkurtim të pensioneve deri në 35%, si dhe shkurtim të shpenzimeve, pavarësisht se Tsipras kishte garantuar se nuk do të pranohej asnjë masë shtrënguese shtesë, qoftë edhe një euro e vetme.
Por mesa duket, qeveria nuk ka pasur asnjë zgjidhje tjetër, dhe gjatë mbledhjes së Eurogrupit ditën e Premte, pranoi të gjitha kërkesat e kreditorëve. Prej të Premtes, në Athinë ka pasur protesta të shumta.
Tsipras gjendet në pozita të vështira jo vetëm në elektorat, por edhe brenda vetë partisë së tij, pasi tërheqja e javës së kaluar nuk është aspak e para, por vetëm e fundit në serinë e premtimeve të thyera sa i përket marrëdhënieve me kreditorët, duke nisur prej referendumit të famshëm.
“Masat afat-mesëm të lehtësimit të borxhit që do të na përfshijnë në skemën e BQE-së, si dhe konsolidimi fiskal, kanë si kusht masat shtesë shtrënguese”, deklaroi Tsipras në Komitetin Qendror të Syrizas.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.