Turistët “ngecin” në Greqi e Turqi – Kolapsi i Thomas Cook do godasë turizmin dhe hotelet
Mbi 50,000 turistë kanë ngecur në Greqi, kryesisht në ishuj, pasi falimentoi firma britanike e udhëtimeve Thomas Cook, sipas ministrisë së turizmit në vend. Turistët, kryesisht britanik, kanë qenë duke pushuar në ishujt Zakynthos, Kos, Korfuz, Skiathos dhe Kretë. Autoritetet lajmëruan se prioriteti është kthimi i tyre në shtëpi. Ndërkohë, Federata e Hotelierëve në Turqi, deklaroi se 45,000 turistë nga Europa dhe Britania që kanë udhëtuar me Thomas Cook, ndodhen aktualisht në vend.
Thomas Cook, një nga kompanitë më të vjetra britanike, drejtonte hotele, resorte dhe linja ajrore për mbi 19 milionë persona në vit në 16 shtete. Federata e Hoteleve në Greqi deklaroi se kolapsi financiar i kompanisë do të përbëjë një goditje të madhe për hotelet, pasi shumë paketa të pushimeve nuk ishin me parapagesë. Sipas autoriteteve, shumë hotele pritet të ndërmarrin pagesa në lidhje me paketat e pushimeve në 2 muajt e ardhshëm, shifër që do arrijë miliona euro. Kompanitë e hoteleve pritet t’i drejtohen gjykatave që të rimarrin paratë që i detyrohet Thomas Cook.
Autoritetet në Turqi bënë të ditur se falimentimi i firmës mund t’i heqë vendit 700,000 turistë në vit. Federata e Hoteleve në vend shtoi se kompania britanike i detyrohet mbi 200 mijë paund hoteleve, që do të pësojnë humbje prej kolapsit. Ministritë e Financave dhe të Turizmit në Turqi po bashkëpunojnë për ofrimin e një kredie për kompanitë lokale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.