Turizëm pa para’ – Në korrik bien me 14.4% tërheqjet në atm dhe me 7.7% pagesat në POS
Pavarësisht se në mes të sezonit veror, muaji korrik regjistron një ulje, si të tërheqjeve të parave cash nëpër Atm, si të pagesave nëpër terminalet POS, thonë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Kështu, gjatë korrikut numërohen 1,279,906 transaksione në numër nëpër Atm për tërheqje parash, nga 1,464,217 që ishin në muajin qershor të këtij viti, pra në rënie me 14.4%. Edhe në vlerë rënia është e ndjeshme, nga rreth 18.8 mld lekë në muajin qershor, në vetëm 17.2 mld lekë në korrik, pra në rënie me 9.3%.
Sa i përket pagesave nëpër terminalet POS, të dhënat e Bankës së Shqipërisë për muajin korrik tregojnë se, janë kryer 468 mijë transaksione në vlerën e 1.98 mld lekëve, nga 504 mijë për vlerën e 2.13 mld lekëve të muajit qershor. Edhe në këtë rast, rënia është e ndjeshme, në masën 7.7% në numër transaksionesh, dhe në 7.9% në vlerë.
Këto të dhëna sinjalizojnë një rënie të qarkullimit të parasë në vend, pasi korriku, logjikisht, do të duhej të shënonte një rritje të këtyre lloj transaksionesh, kryesisht si pasojë e sezonit turistik, por edhe si pasojë e pandemisë, që ka limituar disi përdorimin e parasë fizike. Gjatë muajve të izolimit u vu re një tendencë e lehtë e zhvendosjes nga paraja fizike, drejt asaj elektronike, si nëpërmjet pagesave në POS ashtu edhe nëpërmjet transaksioneve në homebanking. Edhe në drejtim të këtij të fundit, gjatë korrikut vihet re një rënie e lehtë e vlerës së transaksioneve.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.